“Papunësia 4%” e VV-së, Bajrami: Rreth 700 mijë pra s’qenkan të papunë se nuk po dashkan të punojnë
Lëvizja Vetëvendosje kapërceu në pretendimet prej më esktravaganteve se (sic) papunësia në Kosovë është “vetëm 4%” duke u thirrur në një barometër me një mijë të anketuar rastësor. Nivelin e papunësisë, sipas këtij barometri, ata e proklamuan si më të ulëtin në rajon.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i referohet të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës se papunësia në Kosovë përveç që përllogaritet të jetë 10.9%, në këtë shifër nuk përfshihet plot 694 mijë qytetarë “jo aktiv në tregun e punës”.
“Pra për institucionet tona këta 694 413 ‘qytetarë janë të papunë sepse nuk dojnë me punu’, prej tyre burra janë 243 270, ndërsa gra janë 451 143”, tha Bajrami në një përgjigje për Nacionalen.
“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës që operon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Anketës së Fuqisë Punëtore për vitin 2023 (e fundit e publikuar nga ASK), papunësia në Kosovë është 10.9%, por në këtë papunësi nuk llogaritën si të papunë plot 694 413 qytetarë të cilët janë jo aktiv në tregun e punës, vetëm e vetëm për faktin se këta nuk lajmërohen në zyrat e Agjencisë së Punësimit, pranë Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve”, vazhdoi ai.

Bajrami, megjithatë shtron pyetje përgjigjen e të cilës ia jep vet për të përshkruar pse nuk lajmërohen këta rreth 700 mijë qytetarë “jo aktivë në treg të punës”.
“A i paguan kjo zyre? Jo. A ju gjen punë kjo zyre? Jo. Tash nëse doni besoni se papunësia në Kosovë është 4%.”.
Krejt në fund, Bajrami tërheq vëmendjen se sa njerëz veçse kanë migruar nga vendi, gjë që, si pasojë, edhe e redukton numrin e “papunësisë” në vend.
“Mos harroni se papunësia është zvogëlu edhe për faktin se shumë të punësuar dhe shumë të papunë kanë ika nga Kosova”, përfundoi Bajrami.