Pak takime, i ngujuar në Konsullatë, kërcënime ndaj mediave: Kurti vs Osmani në ShBA
Derisa presidentja Vjosa Osmani ndodhet aty ku është ngjarja dhe liderët botërorë, kryeministri Albin Kurti ka mbetur në lëvozhgën e izolimit të vet diplomatik: në Konsullatën e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me kritika për mungesën e takimeve të nivelit të lartë, Kurti edhe ato që i ka pasur, një pjesë e madhe janë realizuar brenda objektit të konsullatës.
Me disa flamuj të vegjël të vendosur nëpër tavolina, shefi i Qeverisë së Kosovës ditën e parë të vizitës së tij njoftoi se është takuar me kryeministrin e Lihtenshtajnit dhe atë të Islandës. Në konsullatë, Kurti priti edhe Drejtoren Menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.
Takime të tjera, për të cilat ai njoftoi, janë këto:
“Takimet në New York i vijuam me Princin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Khaled Al-Sabah, Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, Kryeministrin e Andorrës, Xavier Espot Zamora, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Xavier Bettel, Ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan, Kryeministren e Samoas, Fiamē Naomi Mata’afa dhe Kryeministrin e Republikës së Vanuatus, Charlot Salëai, si dhe me Nënsekretarin e Përgjithshëm dhe Administratorin e Asociuar të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Haoliang Xu”.
Ndërkohë, takimin – thuajse më të rëndësishmin nga kjo vizitë – ai e pati të premten me ndihmës sekretarin e Shtetit, James O’Brien, zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Nga ShBA kërcënoi mediat
Në faqen e tij zyrtare nuk njoftoi, megjithatë, partia që e drejton, Lëvizja Vetëvendosje, publikoi fjalimin me deklarata skandaloze të kryeministrit gjatë pjesëmarrjes së tij në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste
Në fjalinë e tij, Kurti gjeti hapësirë që të hedhë akuza të rënda ndaj mediave në Kosovë, duke pretenduar se disa prej tyre “paguhen me para të pista nga regjimi i vjetër”.
“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata. Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘’me i ndjekë paratë’’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e illegal të cilin ne, si shtete socialiste e socialdemokrate, duhet ta ndjekim.” – ka thënë ai
Osmani, me ftesë të Shtëpisë së Bardhë
Presidentja Osmani, e cila e nisi vizitën pak më herët se Kurti, ka përfaqësuar vendin në javën e nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara.
Liderët e shtetit janë të përçarë edhe në ShBA, Osmani vetëm, e Kurti me Gërvallen bashkë. Sidoqoftë, kjo e para, ka pasur disa takime të nivelit të lartë.
Me ftesë të Shtëpisë së Bardhë, ajo njoftoi se iu bashkua liderëve të tjerë botërorë në samitin për Ukrainën, prej ku, publikoi pamje me presidentin amerikan, Joe Biden.
Presidentja ishte e pranishme edhe në drekën e organizuar nga kryediplomati evropian, Josep Borrell me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ajo pati edhe një takim me ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien. Të premtën ndërkaq, Osmani tha se ka marrë pjesë në një tjetër pritje të organizuar nga Shtëpia e Bardhë, ku u pa duke u përshëndetur me sekretarin amerikan, Anthony Blinken.