Paditet KQZ-ja nga një organizatë e diasporës, thotë se cenoi të drejtën e votës “pa asnjë kriter ligjor”
Një organizatë nga diaspora me emrin “Oda Hamburg e V.”, përmes avokatëve Dardan Hakiu dhe Durim Berisha, ka dorëzuar një padi kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në padinë e siguruar nga Nacionale thuhet se KQZ-ja, përmes vendimit për të kufizuar përfaqësitë diplomatike, ka përjashtuar disa nga pjesëtarët e diasporës që në mënyrë të njëjtë të ushtrojnë të drejtën e votës.
Në padi atakohet vendimi për kufizimin e numrit të përfaqësive diplomatike, ku pjesëtarët e diasporës mund të kryejnë votimin për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025. Sipas padisë, ky kufizim është bërë pa ndonjë kriter ligjor.
“Përmes vendimit të nëjtë, e paditura vendosi po ashtu të kufizojë – pa asnjë kriter ligjor – numrin e përgjithshëm të pjesëtarëve të diasporës, të cilëve do të ju lejohet të votojnë në përfaqësi diplomatike.
Përmes vendimit të atakuar, e paditura përjashton disa nga pjesëtarët e diasporës që në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtat kushte të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, pasi që të njëjtin vendim përcaktoi listen e vendvotimeve së bashku me numërin maksimal të votuesve, pra duke përjashtuar votues të mundshëm mbi numërin e përcaktuar” – thuhet në padinë në emër të organizatës "Oda Hamburg", që udhëhiqet nga Muhamet Idrizi, raporton Nacionale.
Në padinë e tyre, avokatët kanë renditur shkeljet e pretenduara të KQZ-së, duke kërkuar në fund që gjykata të aprovojë kërkesën e tyre për të anuluar vendimin dhe “të nxjerr vendim me të cilin miraton listat e qendrave të votimit jashtë Kosovës, duke moskufizuar numrin e votuesve”.
Ligji dhe rregullorja e KQZ-së
Siç ka raportuar më parë Nacionale, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, i miratuar së fundmi, e rregullon në mënyrë të qartë votimin jashtë vendit për pjesëtarët e diasporës. Përmes këtij ligji janë vendosur kufizime të mëdha për votimin në përfaqësi diplomatike, duke u kritikuar se e redukton votimin e diasporës në një “numër simbolik”.
“KQZ-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, vlerëson hapësirat fizike për secilën përfaqësi diplomatike dhe, në përputhje me kriteret e përcaktuara, merr vendim për numrin e vendvotimeve dhe për numrin e votuesve për secilën përfaqësi diplomatike. Jo më vonë se pesë (5) ditë nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve, KQZ kërkon nga MPJ, listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve. Ministria e Punëve të Jashtme obligohet që t’i ofrojë KQZ-së të gjitha informacionet e kërkuara brenda tre (3) ditë, nga dita e pranimit të kërkesës. MPJ përshtat hapësirat e objekteve të përfaqësive diplomatike në vendvotime sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ” – thuhet në nenin 8 të Ligjit për Zgjedhje.
Ndërsa KQZ-ja, duke u mbështetur në ligjin e lartëcekur, ka hartuar një rregullore zgjedhore për votimin jashtë shtetit të Kosovës. Në paragrafët 7 dhe 8 të nenit 3 të rregullores së KQZ-së janë renditur kriteret për përcaktimin e numrit të votuesve.
“Në bazë të vlerësimit të kapaciteteve për votim në përfaqësi diplomatike, KQZ-ja përcakton numrin maksimal të votuesve për secilën përfaqësi diplomatike, të caktuara si qendër votimi”, thuhet në këtë rregullore.
Përmes kësaj rregullore, KQZ-ja ka treguar se si duhet të veprohet nëse plotësohet numri maksimal i votuesve.
“Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për mënyrat tjera të votimit” – thuhet në rregullore.