Ligji për Zgjedhjet e kufizon numrin e votuesve në ambasada: A e mashtroi Kurti mërgatën?
Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës ishte prezantuar me pompozitet nga kryeministri Albin Kurti dhe parti në pushtet. Fokusi i pushtetit në prezantimin e këtij ligji ishte te neni 96, i cili ia mundëson diasporës votimin në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij promovimi, duket se ata në mënyrë të qëllimshme nuk e përmendin faktin se ligjin që kishin votuar në Kuvend e kufizonte numrin e votuesve që do të mund të votojnë në ambasada dhe konsullata të Kosovës.
Edhe kryeministri Albin Kurti në adresimet e tij nuk e tregonte paragrafin e nenit që kufizon numrin e votuesve në përfaqësitë diplomatike.
Një gjë të tillë ai e kishte bërë edhe më 8 qershor të vitit 2023.
Derisa paraqitej para deputetëve të Kuvendit, ai me triumfalizem tregonte se mërgata do t’i ketë tri mënyra të votimit për zgjedhjet e përgjithshme.
Ai kishte treguar se mënyra e parë është votimi fizik në ambasada dhe konsullata, kurse dy mënyra të tjera janë përmes postës.
“I gëzohemi shumë faktit që tashmë të gjithë mërgimtarëve që gëzojnë të drejtë e tyre për votim, do t’iu ofrohet mundësia që ta ushtrojnë atë duke zgjedhur mundësitë më të përshtatshme për ta, qoftë duke votuar në zyrat e ambasadave e konsullatave, qoftë duke votuar përmes postës brenda shtetit përkatës apo drejt Kosovës”, kishte deklaruar Kurti, duke treguar se ligji në fjalë do të ishte një lehtësi për mërgatën.
"Shpresojmë që sado pak me votimin e këtij Ligji sot do t'ju dalim hak të gjithë mërgimtarëve që përkundër vështirësive nuk hoqën dorë për ta shprehur vullnetin e tyre politik dhe me durim priten që shteti i tyre t'i bëjë edhe më krenarë kur atyre do të ju mundësohet votimi në shtetet ku jetojnë e punojnë", kishte thënë ai.
Në adresimin e tij, shefi i ekzekutivit nuk e tha të vërtetën se numri i mërgimtarëve që do të mund të votojnë në përfaqësi diplomatike do të jetë i kufizuar dhe se jo çdo përfaqësi diplomatike do të plotësojë kushtet për t’u shndërruar në qendër votimi.
Ai fare nuk e kishte lexuar paragrafin 8 të nenit 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili flitet për votimi jashtë Kosovës.
Duket se kryeministrin nuk i konvenonte të tregonte se, sipas ligjit, vetëm një numër simbolik do të mund të votonte në konsullata.
Çka thotë ligji?
Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës e rregullon në mënyrë të qartë votimin jashtë vendit.
Por, ligji në fjalë vendosur kufizime të mëdha për votimin në përfaqësi diplomatike, duke e lënë pothuajse në nivel simbolik këtë proces votimi.
Paragrafi 8 i nenit të 96, i cili flet për votimin jashtë vendit, tregon se si bëhet ky votim.
Ky paragraf tregon se KQZ-ja në përputhje me kriteret e përcaktuara, merr vendim për numrin e vendvotimeve dhe për numrin e votuesve për secilën përfaqësi diplomatike.
“KQZ-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, vlerëson hapësirat fizike për secilën përfaqësi diplomatike dhe, në përputhje me kriteret e përcaktuara, merr vendim për numrin e vendvotimeve dhe për numrin e votuesve për secilën përfaqësi diplomatike. Jo më vonë se pesë (5) ditë nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve, KQZ kërkon nga MPJ, listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve. Ministria e Punëve të Jashtme obligohet që t’i ofrojë KQZ-së të gjitha informacionet e kërkuara brenda tre (3) ditë, nga dita e pranimit të kërkesës. MPJ përshtat hapësirat e objekteve të përfaqësive diplomatike në vendvotime sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ”, thuhet në nenin 8 të Ligjit për Zgjedhje.
Duke u mbështetur në këtë ligj, KQZ-ja ka hartuar edhe Rregulloren Zgjedhore për Votimin Jashtë Kosovës.
Në paragrafët 7 dhe 8 të nenit 3 të kësaj rregullore tregohet kriteret për përcaktimin e numrit të votuesve.
“Në bazë të vlerësimit të kapaciteteve për votim në përfaqësi diplomatike, KQZ-ja përcakton numrin maksimal të votuesve për secilën përfaqësi diplomatike, të caktuara si qendër votimi”, thuhet në këtë rregullore.
Ndër të tjera, rregullorja tregon se si duhet të veprohet nëse plotësohet numri maksimal i votuesve.
“Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për mënyrat tjera të votimit”.
Pikërisht duke u thirrur në paragrafin 8 të nenit 96, në mbledhjen e mbajtur më 29 gusht 2024, KQZ-ja ka marrë vendim për të caktuar numrin maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar dhe kishte caktuar përfaqësitë diplomatike në të cilat do të mund të votohet me 8 shkurt 2025.
Në këtë mbledhje, KQZ-ja ka caktuar numrin e vendvotimeve (47) dhe numrin maksimal të votuesve në secilën përfaqësi diplomatike.
Sipas këtij caktimi, në një vendvotim mund të regjistrohen për të votuar 1,000 votues. Gjithnjë sipas KQZ-së, votimi do të organizohet në 19 ambasada dhe 16 konsullata që janë të vendosura në 22 shtete të ndryshme. Ndryshe nga përfaqësitë diplomatike, KQZ-ja nuk ka kufizuar numrin e votuesve që mund të regjistrohen për të votuar përmes postës, duke mundësuar lejimin e regjistrimit për votim nga jashtë Kosovës të çdo shtetasi të interesuar për të votuar.
Edhe pse vendimi i KQZ-së u mbështet në Ligjin për Zgjedhjet të miratuar më 8 qershor 2023, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje doli kundër vendimit të KQZ-së.
Më 31 gusht të këtij viti, VV-ja dhe disa degë të saj në Britani e Madhe, Gjermani, Suedi, Zvicër, Francë, SHBA, Norvegji, Danimarkë, parashtruan ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kundërshtuar vendimin e KQZ-së.
Gazeta Nacionale kishte siguruar ankesën e VV-së që e kishte dorëzuar në PZAP.
Ankesa tregonte se si partia në pushtet kishte përdorur Ministrinë e Punëve të Jashtme për të ndërhyrë në zgjedhje dhe në punën e KQZ-së.
Sipas dëshmive të siguruara nga Nacionale, MPJD-ja gjatë komunikimit me KQZ-në nuk ka vepruar vetëm në emër të saj, por në emër të të gjithë ekzekutivit kosovar, duke dëshmuar se për veprimet e saj është në dijeni edhe kryeministri Kurti.
Ankesa në fjalë nuk ishte marrë parasysh nga PZAP-ja.
Vendimi i PZAP-së për të rrezuar ankesën e VV-së, kishte nxitur reagime e deputetëve të pushtetit. Ata pretendon se vendimi i këtij paneli është kundër demokracisë.