Pacolli i reagon sërish Qeverisë për telefonatën me Radojiçiqin: Ka dëshmi për këtë
Deputeti Behgjet Pacolli i ka reaguar sërish Qeverisë, e cila ka mohuar deklaratat e tij se komunikoi me Milan Radojiçiq në prezencë të kryeministrit Albin Kurti e presidentes Vjosa Osmani.
Pacolli ka thënë se dikush në emër të Qeverisë po shtrembëron të vërtetën.
Madje, në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka shtuar se për deklaratën e tij ka edhe dëshmi.
“Prapë po ju them, mos insistoni ma tutje, dikush në emër të qeverisë po e shtrembëron të vërtetën, (nuk desha të them që po gënjen).
Për këtë cka kam thënë ka dëshmi dhe njerëz të tjerë.
Mos harroni se po tregoheni shumë të ligë dhe jo mirënjohës!” – ka shkruar Pacolli.
Ndryshe, të enjtën ai deklaroi:
“Unë e kom pas një telefonatë, e kom pas me Radojiçiq një ditë para zgjedhjes së presidentes, e din edhe presidentja edhe z.Albin Kurti, kjo telefonatë është bërë në prezencën e tyre. Aty është peshku edhe një deputet praktikisht. Unë nuk e kam bërë në mendjen time. Radojiçiqin e kam taku, e kam publiku edhe atë fotografi në Facebook, ai ka qenë nënkryetar i një partie parlamentare, bashkë me të kanë qenë deputetë, nuk kam pasë asnjë arsye mos t’ua shtrij dorën. Ua kam htri dorën, kam konsumu një pije, edhe e kam këqyrë rrugën time, s’ka fshehtësi. Sot dikush, ata edhe i ka përdorë, ose ka tentu t’i përdorë për arritjen e synimeve, nëse ato janë të vërteta që flitet, nuk është mirë. Unë besoj në këtë rast që dikush duhet të mirret me to dhe të krijojë qartësi, dhe për këto duhet të informohet opinion publik”.