“Pa Qeverinë s’bëhet rruga Tetovë-Prizren”: A po i çon mesazh Artan Grubi Albin Kurtit? - NACIONALE

“Pa Qeverinë s’bëhet rruga Tetovë-Prizren”: A po i çon mesazh Artan Grubi Albin Kurtit?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ditë më parë ishte në vizitë në Çair e Tetovë, e cila vizitë u komentua shumë. Përveç kritikave, kjo vizitë i futi në telashe dy liderë të opozitës, më saktësisht Bilall Kasamin, kryetar i Tetovës, e kryetarin e Çairit, Visar Ganiun, të cilët po akuzohen nga Maqedonia e Veriut për shkelje të ligjit për himnin e simbolet kombëtare.

Në Tetove, Kurti e proklamoi gjerë e gjatë rrugën, përfshirë tunelin, që lidhë Prizreni e Tetovën, të cilat, sipas Kurtit, ishin një qytet në qiell, por u ndanë në dy kur Zoti i zbriti nga qielli në tokë.

“E kemi thënë disa herë që në qiell duket se Prizreni dhe Tetova kanë qenë një qytet, por kur i ka sjellë Zoti në tokë, malet e Sharrit i kanë ndarë dhe i kanë bërë dy qytete, Prizrenin dhe Tetovën…Natyrisht që rruga që e pamë këtu është rrugë e brendshme e komunës, por ne jemi shumë të interesuar të exim sa më shpejt për lidhjen infrastrukturore të Prizrenit dhe Tetovës, që pra në qiell ishin një qytet e në tokë janë dy përmes aksit, i cili parasheh edhe një tunel.” – theksoi Kurti ditë më parë.

Sidoqoftë, në lidhje me rrugën Tetovë-Prizren, sot ka folur edhe Artan Grubi, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut. Njeriu i besueshëm i Ali Ahmetit, pra z. Grubi, ka bërë një deklaratë interesante, e cila më shumë mund të interpretohet si një mesazh drejtuar Kurtit.

Sipas Grubit, pa Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ku është pjesë edhe BDI-ja që udhëhiqet nga Ahmeti, nuk mund të bëhet rruga që bashkon Prizrenin me Tetovën.

“Vizita e zotëri Kurtit është e mirëseardhur dhe vjen shpesh dhe shpesh herë udhëton nga këtu për jashtë vendit, kishte karakter lokal për motive të ndryshme nga dy komunat në fjalë dhe nuk shoh kontestuese këtu… Tjetër gjë është që disa persona përpiqen ta keqpërdorin zotëri Kurtin, sepse qytetarët e dinë se pa Qeverinë as tabelën me emrin Adem Demaçi nuk mund ta ndërrojnë e as ta bëjnë rrugën Tetovë – Prizren.”deklaroi Grubi.

Ndryshe sot në Maqedoni të Veriut, më saktësisht në selinë e BDI-së, ka qëndruar Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor. Në seli të BDI-së, ai u prit nga Ali Ahmeti. Në takim, sipas dy zyrtarëve, u diskutua për rrugën Tetovë-Prizren.

Në fakt, kryetari i BDI-së, pra z. Ahmeti, njoftoi në konferencë se vizita është bërë me kërkesë të Kurtit.

“Vizita është bërë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës me qëllimin më të mirë për vazhdimin e komunikimit. Ashtu siç ka qenë në të kaluarën, ky komunikim dhe ky bashkëpunim të vazhdojë me interes për të dyja vendet tona sepse çdo bashkëpunim dhe forcim i këtij bashkëpunimi mes vendeve të rajonit si me Republikën e Kosovës si me Republikën e Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë, Serbisë, sigurisht që jemi investues të fortë në drejtim të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe ardhmërisë së sigurt të rajonit që jo hiq më shumë se 20 vite ka qenë i trazuar në konflikte e luftëra me pasoja të rënda” – deklaroi Ahmeti.

Ndërsa në fund të konferencën, dy politikanët shqiptarë nuk pranuan pyetje nga gazetarët, përkundër interesimit të tyre për të pyetur Ahmetin e Aliun.

Lajme të ngjashme