Pa fat: Kritikohen 20 milionët e Qeverisë për Trepçën
Herë 7 milionë euro, herë 3.5 milionë euro e tash 20 milionë euro, e qindra miliona euro janë ndarë për ndërmarrjen Trepça. Në anën tjetër, raporti i auditimi për Trepçën kishte gjetur shkelje në menxhimin e kësaj ndërrmarrjeje, teska 20 milionë eurot kritikohen nga ekspertët e fushës.
Qeveria e Kosovës të mërkurën në mbledhjen e 130-të ka miratuar në parim kërkesën për huamarrje deri në 20 milionë euro për Trepçën. Qëllimi i kësaj huaje sipas qeverisë është që të investohet në miniera dhe flotacione.
Mirëpo, veç për vitin 2022, të hyrat e Trepçës janë 21 deri 22 milionë euro dhe kjo gjë tregon që subevencionimi i Qeverisë, nuk kthehet nga Trepça nga të hyrat.
Ndërkaq, në vitin 2018 dhe 2020 të hyrat e Trepçës kanë qenë 14 milionë deri 15 milionë euro.
Te gjeturat e Auditimit
Ndërkohë raporti i Auditimit “Performanca financiare dhe operative NP Trepça Sh.A” ka gjetur parregullësi në menaxhimin e kësaj ndërmarrje publike.
Në raportin e auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) thuhet se Trepça nuk ka shënuar rezultate pozitive më prodhim.
“Konkluzioni i auditimit është se Trepça Sh.A. nuk ka arritur të vendosë sisteme dhe kontrolle adekuate të brendshme të cilat do ta mbështesnin arritjen e performancës financiare dhe operative pozitive, me theks në procesin e prodhimit. Si rezultat, nuk kishte arritur të jetë efikase dhe efektive në shfrytëzimin dhe përpunimin e burimeve minerare, me synim të tejkalimit të operimit me humbje mesatare mujore prej 620,307€ dhe arritjes së rentabilitetit.” – thuhet në raport.
Gjithashtu, raporti vë në pah edhe tri gjetje të tjera:
“Trepça Sh.A. nuk ka arritur që të krijojë parakushtet e duhura për operim të cilat do të siguronin shfrytëzim efikas dhe fitimprurës të burimeve minerare. Teknologjia dhe infrastruktura e vjetërsuar në Trepça Sh.A dhe mungesa e investimeve kapitale ka ndikuar në produktivitet të ulët.Trepça Sh.A. nuk kishte arritur të sigurojë menaxhim optimal të burimeve njerëzore në procesin e prodhimit.” – thuhet në raport.
Në anën tjetër, në raport rekomandohet që qeveria të “të sigurojë raportimin e konsoliduar të pasurisë , detyrimeve, kapitalit, të ardhurave, shpenzimeve, rrjedhës së parasë dhe ekuitetit të Trepça Sh.A”, gjë cila duket se nuk është marrë parasysh.
“Rekomandojmë Qeverinë e Republikës së Kosovës: 1. Të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar rivlerësimin e aseteve të Trepça Sh.A. 2. Të sigurojë raportimin e konsoliduar të pasurisë , detyrimeve, kapitalit, të ardhurave, shpenzimeve, rrjedhës së parasë dhe ekuitetit të Trepça Sh.A. 3. Të sigurojë se Aksionari dhe Bordi ushtrojnë kompetencat e tyre në të gjitha njësitë biznesore të Trepça Sh.A në mënyrë që të sigurohet konsistenca dhe konsolidimi organizativ, rregullativ dhe financiar për operim si një ndërmarrje e vetme.” – thuhet në raport.
Kritikohet ndarja e 20 milionë eurove
Mirëpo, për kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli, kompanitë publike nuk gjenerojnë të hyra dhe gjendja financiare e tyre është katastrofike.
Pacolli në Facebook ka shkruar se “tu a lëmë ekonominë e Kosovës profesionistëve dhe jo ideologëve.”, duke nënkuptuar se Kurti nuk është ekonomistë.
“Fatkeqësisht nuk po del ashtu. Jo vetëm që kompanitë në fjalë nuk gjenerojnë të hyra, por edhe gjendja e tyre financiare është katastrofike. Siç shihet, ideologjia keynesiane në një shoqëri demokratike me treg liberal nuk funksionon.” – ka shkruar Pacolli.
Po ashtu, edhe profesori i ekomomisë në AUK, Fadil Sahiti, ka thënë se Qeveria nuk ka zgjedhur formën e duhur për rigjallërimin ekonomik të vendit, duke investuar në ndërmarrjet publike, si Trepça dhe PTK.
“Pretendimi se ekonomia e Kosovës do të ringjallet dhe zhvillohet përmes ndërmarrjeve publike nuk bazohet në fakte.” – ka shkruar Sahiti.
“Qeveria po bën mirë që po përpiqet të mbështesë rigjallërimin ekonomik të vendit, por mënyra se si ka zgjedhur për ta bërë këtë nuk duket e menduar mirë. Përpjekjet për t’i mbajtur gjallë ndërmarrjet publike si Trepça dhe PTK janë të gabuara. Rigjallërimi i këtyre ndërmarrjeve mund të bëhet vetëm nga një agjent privat, i cili duhet së pari të bëjë një ristrukturim të gjerë dhe të plotë të tyre. Vetëm në këtë mënyrë mund të kenë sukses investimet kapitale.” – ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.
Ndërkohë në shënimin e 34-vjetorit së grevës së minatorëve të Trepçës, kryeministri Albin Kurti, ka treguar përkrahjen ndaj Trepçës dhe planet për investime aty.
“Si qeveri e kemi përkrahur Trepçën me subvencione për investime kapitale dhe për t’u përballur me krizën energjetike, 8.2 milionë euro në vitin 2021 dhe 8.3 milionë euro në vitin 2023. Sivjet është koha për investime në teknologji të re, që e rrit efiçiencën e prodhimit, e ngrit performancën operative e financiare të ndërmarrjes, i përmirëson kushtet e punës dhe hap vende të reja pune. Investimet që nuk janë bërë për gati gjysmë shekulli — makineritë prodhuese dhe flotacioni i ri — do të ndodhin brenda qeverisjes sonë.” – ka thënë Kurti.