Osmani takon institucionet e drejtësisë, pas vrasjeve të dy grave - NACIONALE

Osmani takon institucionet e drejtësisë, pas vrasjeve të dy grave

1 javë më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës ka takuar sot institucionet e drejtësisë, pas vrasjeve të dy grave brenda pak ditëve.

Presidenca përmes një komunikate për media, ka njoftuar se në takim kanë qenë të pranishëm kryesisë i KGjK-së, zëvendës ushtruesi i detyres së kryeprokurorit të Shtetit dhe koordinatorja për rastet e dhunës në familje nga Zyra e Kryeprokurorit.

Në komunikatë, thuhet se presidentja ka shtruar nevojën që të zbatohet edhe udhësuesi për politikën ndëshkimore në rastet e dhunës në familje dhe asaj në baza gjinore.

“Në takim, Presidentja Osmani ripërsëriti shqetësimin e thellë lidhur me fenomenin alarmues të vrasjes së grave, si dhe nevojën urgjente që të zbatohen me përpikëri dispozitat ndëshkuese të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, Presidentja Osmani shtroi nevojën që të zbatohet edhe udhëzuesi për politikën ndëshkimore në rastet e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, si dhe të punohet në drejtim të ashpërsimit të kësaj politike.” – thuhet aty.

Presidentja tutje raportohet se u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që t’i ndërmarrin masat sipas ligjit në fuqi për prokurorët dhe gjyqtarët që shqiptojnë dënime e shpallin aktgjykime që nuk janë në përputhje me Kodin Penal të Kosovës.

“Gjithashtu, në përvjetorin e 25- të masakrës së Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër, Presidentja Osmani i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që urgjentisht të merren në pyetje të mbijetuarit e këtyre masakrave në mënyrë që të vendoset drejtësia për viktimat.” – thuhet tutje.

Lajme të ngjashme