Osmani takohet me Qemal Minxhozin, bisedojnë për kidnapimin e tre policëve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Në njoftim nga Presidenca e Kosovës, bëhet e ditur se Osmani ka folur për veprimet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë.
Ajo gjithashtu ka folur edhe për kidnapimin e tre policëve nga Serbia.
“Në takim u diskutua mbi zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, me ç’rast Presidentja Osmani foli për veprimet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktin e pastër të agresionit me tre policët e kidnapuar në territorin e Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftim.
Osmani potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Shqipërinë dhe aleatët tjerë, me qëllim të ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend dhe rajon.
