Osmani pritet nga Rama: BE-ja duhet të ketë vepra, në fund të vitit aplikojmë për anëtarësim
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur në Tiranë, atje ku po merr pjesë në Samitin e Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Osmani është pritur nga kryeministri i Shqipërsië, Edi Rama.
Në një deklaratë për gazetarët para nisjes së Samiti, Osmani ka deklaruar se ky Samit është me rëndësi të madhe, pasi tregon përkushtimin e BE-së për vendet e Ballkanit.
“Jam e lumtur që gjendem në Tiranë në një Samit që është sipërmarrje e rëndësishme qoftë nga Ballkani apo BE-ja. Shpresoj që konkluzionet do të shfaqin këtë përbashkësi të BE-së drejt një procesi të përshpejtuar në Bashkimin Evropian”, tha fillimisht Osmani, transmeton Nacionale.
Osmani kërkoi nga Bashkimi Evropian të lëviz nga fjalët në vepra, sidomos me rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Jam udhëheqësja e një vendi më pro-evropian, kemi treguar përkustimin në vlerat ndaj BE-së. Harmonizim 100% me çdo politikë të BE-së, sanksione të Rusisë, dhe shmangien e influencës e Rusisë dhe Kinës në Ballkan. Duhet që BE-ja të lëviz nga fjalët në vepra, sidomos për liberalizimin e vizave. Kosova do të paraqes aplikimin për anëtarësim në BE, dhe shpresojmë që do të kemi mbështetjen e plotë”, deklaroi Osmani.
Nga gazetarët ndërkombëtarë, Osmani u pyet edhe për dialogun, Ajo ritheksoi qëndrimin e saj se ky proces duhet të përmbyllet me njohje reciproke.
“Ky është Samit, nuk është vendi për dialog. Ai është proces në vete që lehtësohet nga BE-ja. Është proces që duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë. Ta ruajë integritetint territorial dhe karakterin kushtetuese”, deklaroi Osmani në Tiranë.
Nga Tirana, Osmani pati kritika të ashpra për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Maqedonia dhe Shqipëria kanë ecur përpara me çeljen e negocaitave për anëtarësim, dhe ka pasur vendim nga ambasadorët për liberalizimin e vizave. Ne do të bëjmë thirrje që të votohet pro më 15 dhjetor në Mbledhjen e Këshillit. Më duhet të pranoj kam mesazhe të paqarta që dërgohen. Sepse nga njëra anë ke vende të harmonizuara me BE-në, e nga ana tjetër vende të harmonizuara me Putinin. Ose je krah Ukrainës ose krah Rusisë, dhe kjo duhet të vlejë. Ky është sinjali që BE-ja duhet të dërgojë”, deklaroi Osmani.
Osmani deklaroi se Vuçiq është pjesë e mendësisë së viteve të 90-ta, që ka dërguar në luftë.
“Vuçiq është vazhdimësi e një mendësie e viteve të 90-ta dhe ishte kjo mendësi që çoi në luftë. Dhe çfarë po tregon Kosova këto ditë është e kundërta e asaj që tregon Vuçiqi. Ne poo shtrijmë dorën e bashkëpunimit, edhe pse ata kurrë nuk kanë kërkuar falje për krimet që kanë kryer. Dialogu që bëhet nga BE-ja është e vetmja rrugë për të ecur përpara, me njohje të ndërsjellë”, përfundoi Vjosa Osmani.
Edhe pse e kishte anuluar pjesëmarrjen në këtë Samit, pjesë e këtij organizimi do të jetë edhe presidenti i Serbisë, liderët e vendeve të evropës dhe ata të BE-së.
Temat kryesore të Samitit
Temat kryesore për të cilat do të diskutohen në samitin BE- Ballkani Perëndimor në Tiranë , do të kenë në fokus luftën në Ukrainë, migracionin, luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar si dhe përforcimin e sigurisë me qëllim parandalimin e ndërhyrjeve të huaja.
Ndalur te lufta në Ukrainë, në fokus do të jenë përballimi i sfidave të përbashkëta që vijnë si pasojë e agresionit rus, e më konkretisht si mund të trajtohen efektet negative që kanë sjellë në energji dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor. Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës.
Rreth 1500 efektivë të policisë dhe forcave të tjera të sigurisë pritet të jenë në terren për ta siguruar mbarëvajtjen e Samitit. Niveli i masave të sigurisë duket se do të jenë “të hekurta”, gati të njëjta me ato që janë ndërmarrë në kohën kur në Tiranë erdhi ish-sekretari amerikan i shtetit John Kerry apo Papa Françesku.

