Osmani në Itali, Mattarella: Dialogu s'ka alternativë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron për vizitë zyrtare në Itali.
Atje është takuar me homologun italian Sergio Matarella. Ky i fundit konfirmoi mbështetjen për dialogun, duke thënë se si i tillë nuk ka alternativë, ndërkaq, nuk mungoi as pohimi për mbështetjen në aplikimin e Kosovës për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës.
"Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka alternativë. Italia si njëra prej shteteve të para që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, e kupton mjaft mirë se sa sfilitës mund të jetë rrugëtimi drejt pajtimit me Serbinë.
Mirëpo, ne duhet të shohim përtej vizionit të tjetrit si armik dhe të marrim vendime të guximshme, për të krijuar një klim të besimit dhe respektit reciprok.
Propozimi për marrëveshje që është paraqitur nga Bashkimi Evropian është një mundësi e rëndësishme, që do të duhej të pranohej nga të dy palët, edhe nga prizmi i anëtarësimit në të ardhmen në Bashkimin Evropian", deklaroi presidenti i Italisë Matarella.
Njëherësh, ai i premtoi presidentes Osmani se Italia do t'i japë përkrahje të hapur Kosovës për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës.
