E paditur për padinë: Huqja e Presidencës me padinë ndaj gazetarit Berisha për shpifje
Autor: Arbër Ramadani dhe Mirlind Behluli
Një deklaratë e ish-kryeredaktorit të RTK-3, Ridvan Berisha, e bërë në emisionin “Politiko”, i ka hapur probleme me Presidencën e Kosovës. Në Kanal 10, Berisha e akuzoi presidenten Vjosa Osmani, duke theksuar se ajo është përfshirë në rastin e ish-policit, Dejan Pantiq, i cili u lirua në arrest shtëpiak javë më parë, ndonëse akuzohet për vepren e terrorizmit.
Pas emisionit, erdhi reagimi publik nga Presidenca, e cila paralajmëroi hapa ligjor kundër deklarimeve të Ridvan Berishës, të cilat i cilësuan si "shpifje". Tutje, në reagimin e saj, Presidenca theksonte se Osmani në asnjë rast nuk ka interferuar në punën e organeve të drejtësisë.
“Deklarata e sotme e Ridvan Berishës gjatë emisionit “Politiko” në Kanal 10, kinse Presidentja Osmani është implikuar në rastin “Pantiq”, është gënjeshtër, sajim dhe shpifje e paprecedentë. Presidentja Osmani në asnjë rast dhe në asnjë situatë nuk interferon në punën e organeve të drejtësisë. Këtë NUK e ka bërë as në rastin "Pantiq"." - shkruhej, ndër të tjera, në komunikatë.
Madje, Presidenca e shtoi dozën e kritikës, duke paralajmëruar edhe hapa ligjor për "shpifjen".
"Ky model i takon të kaluarës. Presidentja punon me përkushtim për ta afirmuar Kosovën dhe për ta forcuar sundimin e ligjit dhe rendit.
Liria e fjalës është në funksion të të vërtetës, por jo të shpifjeve. Presidentja Osmani qysh nesër do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjor për këtë shpifje të Ridvan Berishës.” - thuhej në reagim.
Por situata u bë edhe më e çuditshme, kur Presidenca e Berisha e vazhduan përplasjen edhe në komente në postimin në Facebook.
Berisha i komentoi në paralajmërimin e Presidencës për hapa ligjor, duke i thënë të qëtësohet, dhe se nëse nuk do të kishte të vërtetë në deklaratën e tij, presidenca nuk do ta mirrtë kaq seriozisht.
“Shpifjet e nivelit të tillë ne i marrim shumë seriozisht. Përballja me ligjin është përgjigjja finale” ishte kundërpërgjigjja e presidencës.
Por a mundet Presidentja Osmani ta padisë gazetarin Berisha?
Gazeta Nacionale ka kontaktuar juristin Durim Berisha, i cili ka qenë edhe këshilltar i kyreministrit Albin Kurti, gjatë Qeverisë Kurti I.
Berisha ka sqaruar se deklarata e Berishës ka qenë e drejtuar rreth ushtrimit të funksionit të presidentes Osmani, e jo ndaj Vjosa Osmanit si individ, prandaj ligji nuk e njeh si shpifje.
“Ekzsiton tanimë një praktikë e etabluar gjyqësore në lidhje me pamundësinë e ushtrimit te padive civile për fyerjë dhe shpifje në cilësinë e ushtruesit te funksionit shtetëror. Z. Ridvan Berisha nuk ka deklaruar diçka në lidhje me znj. Vjosa Osmani si person fizik, por i është drejtuar në funksionin e saj si presidente." - tha z. Berisha.
Madje, Berisha ka deklaruar se nga ky reagim i Presidences tregon se ky institucion ka mungesë të njohurive elementare të çështjeve ligjore.
"Prandaj reagimi i Presidencës se kunder tij di te ushtrohet padi për shpifje është tregues i mungesës së njohurive elementare të çështjeve ligjore. Në fakt kjo padituri e presidentes dhe stafit të saj është shqetësuese, për shkak të rolit dhe funksionit që ka presidenti i shtetit.” - shtoi Berisha.
Praktika Gjyqësore: Agjencia Kundër Korrupsion vs Çohu
Një rast i ngjashëm kishte ndodhur kur ish Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni, kishte paditur organizatën Çohu.
Hasan Preteni, pati pretenduar se Artan Demhasaj në cilësinë e Drejtorit të Çohu, si dhe organizata ku ai bënte pjesë, së bashku me gazetën “Preportr” kishin publikuar shpifje kundër tij, kur thanë se Preteni në cilësinë e Drejtorit të Agjencisë, ka mbrojtur 7 deputet, të cilët kishin shkelur Ligjin për Deklarimin e Pasurisë.
Preteni pretendonte se me këto akuza, atij iu shkaktuan dëme edhe për funskionin që mbante, por edhe si individ.
Gjykata pa u lëshuar në kontestimin ose jo të fakteve të ngjarjes, e kishte hudhur si të palejuar padinë.
Padia u hudh poshtë si e palejuar për faktin se shpifja e pretenduar ndaj Pretinit, kishte të bënte me ushtrimin e funksionin të tij si drejtor i AAK-së, ndërsa ligji i mbron ekskluzivisht vetëm individët në kapacitetin e tyre personal. Prandaj, publikimi i “Çohu” i saktë apo i pasaktë, nuk mund të bëhet subjekt i kontestit gjyqësor.
Aspekti ligjor
Ligji Civil Kundër Shpifjes Dhe Fyerjes, saktësishte neni 4 dhe 5 i këtij ligji e rregullojnë çështjen se cili është veprimi kundër shpifjes dhe fyerjes e përgjegjësinë për shpifje dhe fyerje.
Në nenin 4, ndër të tjera thuhet, “Një person ka të drejtë të kërkojë përmes procedurës gjyqësore të ndalë shpifjen dhe fyerjen dhe premtimin se shpifja apo fyerja nuk do të përsëritet në të ardhmen, tërheqjen e informacionit shpifës apo fyes ndaj personalitetit të tij/saj dhe kompensimin për dëmin moral dhe material të shkaktuar nga shpifja dhe fyerja, përveç nëse është konstatuar njëra nga përjashtimet e përgjegjësisë në pajtim me këtë Ligj.”
Kurse në nenin 5 pika 4 thuhet, “Autoritetet publike ndalohen nga paraqitja e kërkesës për kompensim për dëmin e shkaktuar nga shpifja ose fyerja. Zyrtarët publikë mund të paraqesin kërkesë për kompensim e dëmit nga shpifja apo fyerja privatisht dhe ekskluzivisht në kapacitetin e tyre personal.”
Nuk dihet nëse Osmani vërtetë do të ndërmarrë veprimet ligjore të paralajmërua kundrejt gazetarit Berisha. Por ajo që dihet është se në rast se kjo do të ndodhë, Gjykata para vetës do të ketë këto dy fakte kokëforta: praktik gjyqësore dhe vetë ligjin, të cilat nuk janë në favor të shefes së shtetit.

