Osmani me ambasadorë, homazhe për ushtarët e rënë të NATO-s: Shtetet mike po na qëndrojnë afër edhe sot - NACIONALE

Osmani me ambasadorë, homazhe për ushtarët e rënë të NATO-s: Shtetet mike po na qëndrojnë afër edhe sot

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me ambasadorët e vendeve aleate, kanë bërë homazhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s në sheshin kryesor të Prishtinës.

Osmani para gazetarëve, u shpreh se 24 marsi shënon ditën kur filloi ndalja e shfarosjes nga regjimi i kriminelit, Millosheviq.

“25 vite më parë, për Kosovën filloi shpresa e madhe, 24 marsi ishte ditë e shpresës së madhe. Aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për ta ndaluar shfarosjen nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Bashkë me aleatët, arritëm që Kosova të bëhet e lirë, atë ditë të çlirimit do ta shënojmë më 12 qershor të këtij viti.” – ka thënë ajo.

Tutje, presidentja ka shtuar shtetet aleate, po i qëndrojnë edhe sot pranë Kosovës derisa vendi po përballet me sfida të shumta.

"Kjo ditë e shpresës së madhe u shndërrua në një partneritet të fuqishëm dhe palëkundur të botës demokratike, prandaj edhe sot jam shoqëruar nga ambasadorët dhe përfaqësuesit e shteteve mike, që qëndruan pranë Kosovës e po qëndrojnë edhe sot derisa përballemi me sfida të shumta." - tha tutje Osmani.

Ndërkohë, ka rënë në sy që i pranishëm, nuk ka qenë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Ndryshe, sot bëhen 25 vjet prej fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, kundër caqeve ushtarake serbe, për të ndalë kështu luftën në Kosovë.

Urdhri ishte dhënë nga presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Në një fjalim para popullit amerikan, ai kishte konfirmuar se Aleanca Atlantike po fillonte një operacion ushtarak për të ndalë luftën në Kosovë.

"Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqe.” – kishte thënë ai.

Lajme të ngjashme