Osmani flet pas nënshkrimit të marrëveshjes me ShBA-të, përmend sulmet ruse "përmes satelitit të saj, Serbisë"
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas përfundimit të takimit, ka mbajtur konferencë të përbashkët me nënsekretaren amerikane të Shtetit, Elizabeth Allen.
Osmani ka thënë se e ka falënderuar SHBA-në për mbështetjen ndaj Kosovës.
Osmani me Allen kanë nënshkruar marrëveshje kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja, duke thënë se është dëshimi e fuqizimit ndërmjet dy shteteve, teksa ka përmendur ndikimin e Rusisë përmes Serbisë.
“Fatkeqësisht as Kosova nuk është kursyer nga këto sulme të cilat sa vijnë e intensifikohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon përmes satelitit të saj, Serbisë. Kjo jo vetëm që është shqetësuese por paraqet rrezik aktiv për destabilizimin e rajonit tonë. Rusia në këtë mënyrë po përpiqet të ushtrojë ndikim duke targetuar sukseset dhe arritjet e angazhimit të përbashkët të popullit të Kosovës me shtetet demokratike, në veçanti me SHBA-të… Prandaj edhe ne si demokraci duhet të bashkohemi në mënyrë që ata të mos arrijnë këtë sukses.” – ka thënë ajo.
“Lufta e agresionit të Rusisë në Ukrainë shënoi momentin kulminant kur shtetet demokratike njëzëri dhe vendosmërisht u përkushtuan për t’iu kundërvënë propagandës ruse nëpërmjet mjete dezinformuese. Marrëveshja e sotme e nënshkruar mes republikës së Kosovës dhe SHBA-ve është në këtë funksion. Ajo nuk përbën vetëm tjetër marrëveshje, përkundrazi shënon një pikë kthese duke e fuqizuar dukshëm bashkëpunimin tonë… Kjo marrëveshje mirëkuptimi do të nxisë edhe një koordinim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim më të madh të institucioneve publike në vend, organizatave të shoqërisë civile, mediave si dhe të gjitha palëve të interesuara.” – ka thënë ajo, duke shtuar se "rezultatet e së cilës do të materializohen gjatë zbatimit të saj."
"SHBA-të janë aleati ynë kryesor." - ka thënë ndër të tjera Osmani.