Osmani e takon Prattipatin dhe Radoniqi, por nuk flet për moscertifikimin e Listës Serbe dhe fyerjet e rënda të Kurteshit ndaj mediave
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për dy çështje që kanë nxitur reagime të shumta vendore dhe ndërkombëtare.
Të pares së vendit nuk i kanë bërë aspak përshtypjen kritikat e shumta të aleatëve për moscertifikimin e Listës Serbe nga KQZ-ja dhe fyerjet e rënda ndaj mediave të Sami Kurteshit, anëtarit të VV-së në KQZ, të cilin e ka emëruar ajo.
Për këto dy çështje Osmani nuk ka pasur ndonjë qëndrim as pas takimeve që ka pasur dje me të ngarkuarën me punë të SHBA-ve, Anu Prattipati, dhe me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Në njoftimet e Presidencës është thënë se në këto takime është diskutuar për zgjedhjet e dhjetorit.
“Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-ve, znj. Anu Prattipati. Në takimi u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për procesin e zgjedhjeve të parakohshme më 28 dhjetor. Presidentja theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike, për çka Kosova tashmë është shembull”, është thënë në njoftimin e presidentes, duke përmendur edhe një temë për të cilën është diskutuar.
“Në takim u diskutua edhe për seancën e Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA mbi zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, si dhe u trajtuan gjithashtu edhe çështje të ndryshme të bashkëpunimit bilateral. Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e plotë për forcimin e partneritetit me aleatin më të rëndësishëm strategjik të Republikës së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është thënë në njoftim.
Në një njoftim tjetër të Presidencës është treguar edhe për temat që janë diskutuar gjatë takimit me Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi.
“Gjatë takimit, Kryesuesi Radoniqi e njoftoi Presidenten Osmani mbi ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 dhe përmbushjen e detyrave organizative që po zhvillohen nga KQZ-ja. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e garantimit të një procesi zgjedhor të rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës, si dhe nënvizoi gatishmërinë institucionale për të mbështetur çdo hap që siguron integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve”, është thënë në njoftim.