Osmani e Kurti takojnë senatorin që kritikoi Cholletin për Asociacionin - NACIONALE

Osmani e Kurti takojnë senatorin që kritikoi Cholletin për Asociacionin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë qëndrimit në Mynih, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë takuar me senatorin amerikan Robert Menendez, i cili së fundmi ka thënë se nuk pajtohet me qëndrimin e këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, për domosdoshmërinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Me anë të një postimi në Twitter, Osmani ka njoftuar për takimin me sentatorin Mendez.

“E lumtur që u takova me Senatorin Menendez. E falënderova për mbështetjen e palëkundur për Republikën e Kosovës dhe përkushtimin për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe”, ka shkruar Osmani.

E gjatë ditës së sotme, takim me Menendezin ka pasur edhe kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti falënderoi senatorin Menendez për mbështetjen e tij aktive ndaj Kosovës në Senatin amerikan.

“Në takimin e mbajtur sot në kuadër të Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kryeministri Kurti e njoftoi senatorin për rezultatet e deritanishme të qeverisë, me theks te sundimi i ligjit. Po ashtu e falënderoi senatorin Menendez për mbështetjen aktive të tij ndaj Kosovës në Senatin amerikan. Folën edhe për procesin e dialogut, raportin me Serbinë dhe propozimin evropian, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi senatorin Menendez për qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe konstruktivitetin e treguar përgjatë tërë procesit”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Lajme të ngjashme