Osmani e dekoroi William Walkerin, por në vitin 2020 hezitonte t`ia vazhdonte kontratën lobuese
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me medalje ambasadorin William Walker. Ajo ka falënderuar atë dhe disa ish-zyrtarë të lartë amerikanë që kanë kontribuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në njoftimin për dekorimin e Walkerit, ish-shefit të misionit verifikues të OSBE-së, i cili i tregoi botes për masakrën e Reçakut, shefja e shtetit shprehet falënderuese për kontributin që ka dhënë ai për Kosovën.
Por, shefja e shtetit nuk ishte kaq falënderuese në fund të vitit 2020, kur fondacionit të zyrtarit amerikan nuk ia kishte vazhduar kontratën lobuesi për Kosovën, e cila ishte dhënë nga paraardhësi i Osmanit, ish-presidenti Hashim Thaçi.
Ajo kohe Vjosa Osmani ishte ushtruese e detyrës se presidenti dhe hezitonte të vazhdonte kontratën në fjalë, të cilës i kishte skaduar afati në dhjetor të vitit 2020.
Pas raportimeve të mediave për një gjë të tillë, Osmani kishte dalë me një sqarim publik për këtë çështje.
Në reagimin e saj, ajo kishte kërkuar raporte të detajuara për punën që kishte bërë ky fondacion me parat që kishte marrë nga Presidenca.
“Ne kemi kërkuar raportet e punës për periudhën e deritanishme për të kuptuar natyrën e shërbimeve të ofruara. ASNJË RAPORT NUK ËSHTË DORËZUAR dhe asnjë dokument pune lidhur me këtë kontratë nuk është gjendur në Presidencë. Ne kemi kërkuar raporte pune në veçanti për muajt nëntor e dhjetor, ashtu siç parashihet në nenin 6 të kontratës por asgjë nuk është dërguar deri më tani”, kishte shkruar Osmani në profilin e saj në “Facebook”.
Vjosa Osmani në atë kohë hezitonte edhe ta kontaktonte zyrtarin amerikan.
Sjellja e Osmanit nuk i kishte pëlqyer as ambasadorit Walker.
Ky i fundit kishte thënë për mediat vendore se e kishte pritur gjatë Osmanin për një telefonatë për të diskutuar rreth kësaj çështje,
“Unë nuk e kam diskutuar këtë me presidenten Vjosa Osmani dhe nuk kam komunikuar me të që para zgjedhjeve, atëherë kur doli storja se ajo në njëfarë mënyre e ndërpreu kontratën me Fondacionin. Mendoj se ajo ka qenë shumë e zënë me garën zgjedhore dhe me negociatat për formimin e Qeverisë së re. Tani ajo është presidente, dhe siç thashë edhe më herët nuk kam folur me të që nga biseda e parë dhe në njëfarë mënyre kam pritur që ajo të më telefonojë”, kishte thënë Walker në janar të vitit 2021.
Hezitimi i Osmani për të ia vazhduar kontratën një miku të madh të Kosovës kishte nxitur reagime të shumta në vend.
Vetëm pas reagimeve të shumta dhe presionit media, Osmani kishte pranuar që fondacionit tw ia vazhdohet kontratën.
Në fillim të vitit 2021, përmes një komunikate për media, Presidenca kishte njoftuar se kontrata në fjalë ishte vazhduar pas një bisede në mes të Osmanit dhe Walkerit.
“U.d. presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ambasadori William Walker kanë zhvilluar një bisedë personalisht për të rikonfirmuar angazhimin e tyre të përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit. Walker ka qenë një mik i devotshëm i popullit të Kosovës gjatë ditëve tona më të errëta dhe do të mbetet i tillë edhe tash e tutje”, ishte thënë në njoftimin e Zyrës e Presidencës.
Kontrata në fjalë ishte lidhur nga ish-presidenti Hashim Thaçi dhe kishte për qëllim ofrimin e këshillave profesionale për shefin e shtetit.
Kontrata kishte vlerën e 35 mije eurove, apo 7 mijë euro në muaj për organizatën “Walker Foundation”.
Përveç ambasadorin Walker, me e Urdhrin e Lirisë dhe Urdhrin e Pavarësisë presidentja Osmani ka nderuar edhe kongresistin e ndjerë Tom Lantos, ish-ambasadori Daniel Fried, Josh Black dhe Mira Ricardel.