Osmani dhe Gjukanoviq nuk e shohin problem çështjen e demarkacionit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, janë zotuar se do të respektohen të gjitha dokumentet e nënshkruara për demarkimin e kufirit në mes të dy vendeve. Pas takimit në Prishtinë, ata kanë deklaruar se do të themelohet trupa e përbashkët për këtë çështje dhe të do krijohen kushtet e domosdoshme për korrigjime.
Presidentët e Kosovës dhe Malit të Zi nuk e shohin si problem çështjen e demarkacionit të kufirit në mes të dy vendeve.
Gjatë vizitës së parë në Kosovë, presidenti malazez Milo Gjukanoviq, ka deklaruar se kjo çështje nuk do të jetë problematike në raportet në mes të dy shteteve.
Pas takimit me presidenten Osmani, i pari i Malit të Zi ka bërë me dije se vendi i tij do të ofrojë kushte të domosdoshme për korrigjimin e kufirit nëse të dy palët pajtohen.
“Mendoj se kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron probleme. Ne nuk dëshirojmë të kemi probleme në asnjë nga adresat tona. Ne do t’u përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar, që përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacion do të krijojmë kushte të domosdoshme për korrigjime për të cilat do të pajtohemi, që të kontribuojnë që ky kufi në demarkacionin e tij të jetë i logjikshëm, të jetë ashtu siç duhet të jetë, dhe të mos shërbejë në asnjë mënyrë si burim për mosmarrëveshje apo tensionin i raporteve tona”, ka thënë Gjukanoviq.
Ai ka thënë se Mali i Zi do të respektojë çdo dokument që ka nënshkruar në lidhje me këtë proces.
“Kemi marrëveshjen e nënshkruar në 2015 në Vjenë, dy presidentët në 2018 në Podgoricë kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët ku kanë precizuar mundësitë e caktuara për punën e komisionit të përbashkët dhe ndërkohë është ratifikuar marrëveshja për kufirin në të dy parlamentet”, ka thënë Gjukanoviq.
As presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e sheh këtë çështje problematike.
Kur është pyetur nga gazetarët për këtë çështje në konferencë për medie, ajo ka thënë se miqësia në mes të dy vendeve do të ruhet.
Sipas saj, të dyja vendet do të respektojnë çdo dokument të nënshkruar.
“Dua ta potencoj sërish që Mali i Zi si ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën. Që nga viti 2008 e deri sot, ka qenë ndër fqinjët më përkrahës në procesin tonë të shtetndërtimit. Kjo miqësi që është ndërtuar vazhdimisht, do të ruhet e forcohet më tej. Për çështjen e demarkacionit, Kosova ka ratifikuar tri dokumente, e para është marrëveshja dypalëshe sa i përket vendosjes së kufirit, e dyta është deklarata e përbashkët ndërmjet dy presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi, dhe e treta ka qenë raporti i komisionit shtetëror për çështjen e kufirit. Gjithçka që ka të bëjë me raportet tona do të diskutohet dhe zhvillohet në parimin e respektit të ndërsjellë, në parimin e raporteve të shkëlqyeshme miqësore”, ka thënë Osmani.
E para e vendit ka treguar se komisioni i përbashkët teknik do të krijohet përmes bisedimeve miqësore në mes të dy palëve.
“Çështja e trupit të përbashkët teknik që është paraparë në deklaratën mes dy presidentëve, është një çështje e tillë teknike e cila do të realizohet gjithnjë përmes diskutimeve miqësore e përmbajtësore ndërmjet dy vendeve tona, gjithnjë duke vlerësuar raportet tona të ndërsjella duke pasur miqësinë dhe thellimin e këtyre raporteve. Ka mjaftueshëm akterë të tjerë që synojnë t’i dëmtojnë raportet tona. Kosova dhe Mali i Zi nuk duhet ta lejojnë këtë. Nuk shoh asnjë çështje që mund të prishë marrëdhëniet e Kosovës dhe Malit të Zi, përkundrazi shoh hapësirë për përmirësim”, ka thënë Osmani.
Marrëveshja e demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në vitin 2015. Mirëpo opozita e atëhershme e kishte kundërshtuar fuqishëm marrëveshjen, duke pamundësuar ratifikimin e saj në Kuvendin e Kosovës. Kjo marrëveshje u ratifikua në vitin 2018, pasi asaj iu bashkua një aneks-marrëveshje, e cila ishte nënshkruar në mes të presidentëve të shteteve. Deklarata e përbashkët e të dy presidentëve përfshinte zotimin se të dyja vendet pas ratifikimit do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.
“Trupi i Përbashkët i Punës në mënyrë specifike do të rishikojë dhe korrektojë sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlebit”, është thënë në piken e parafundit të deklaratës së përbashkët në mes të dy presidentëve.