Osmani deklaronte se e ka prioritet ujdinë për të zhdukurit, tash aludohet se u hoq termi kryesor
Ndonëse nga pala kosovare ende nuk ka pasur asnjë konfirmim, ajo serbe po pretendon se termi “me dhunë” te marrëveshja për të zhdukurit në luftë, është larguar nga deklarata.
Para disa ditësh, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë për mediumin austriak “Die Presse”, ku tha se kjo pikë është prioritet për të.
Ajo madje, kishte përmendur “fatin e të zhdukurve me dhunë”.
“Në takimin e radhës në prill duhet të merremi kryesisht me personat e zhdukur në luftë. Si presidente e Kosovës, jam e përkushtuar që këtë ta bëj prioritet të dialogut. Na duhet një marrëveshje përmes së cilës Serbia i hapë arkivat e saj për ta sqaruar fatin e të zhdukurve me dhunë. Bëhet fjalë për më shumë se 1600 persona, përfshirë gra dhe fëmijë.” – tha ajo.
Megjithatë, gjashtë ditë që prej realizimit të kësaj interviste, në opinion ka shumë reagime në lidhje me takimin e djeshëm në Bruksel mes kryenegociatorëve, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.
I pari nuk ka folur shumë, ndërsa i dyti edhe sot për mediat serbe deklaroi se termi “të zhdukur me forcë” është larguar nga deklarata “falë përpjekjeve të Beogradit”.
“Përveç politizimit të dukshëm të kësaj teme tejet humane, është e kuptueshme edhe pakënaqësia e Prishtinës, e cila dështoi në planin e saj për të akuzuar Serbinë për të gjitha rastet e zhdukjeve në Kosovë dhe për t'ia atribuar Beogradit krimet e UÇK-së i cili ishte qëllimi i tyre që në fillim, të cilin e pamë dhe e penguam.” – tha ai.
Ndërkaq, Bislimi dje pas takimit deklaroi si vijon: “Pati një dakordim fillestar që takimi i radhës në nivel të lartë politik të mbahet me 22 prill, por që kjo nuk është edhe aq e sigurt sepse ka indikacione që presidenit i Serbisë nuk është i gatshëm nuk mund të vijë në këtë datë, kështu që jemi duke e shqyrtuar nëj datë tjetër. Ideja është që në këtë datë të prezantohet një draft fillestar i grupit të menaxhmentit, ngase ka pak paqartësi në çështjen procedurale, se kujt duhet drejtuar drafti paraprakisht dhe si duhet të prezantohet”.

