OSBE: Jo mbyllje shërbimesh publike, por gjetje e zgjidhjeve të qëndrueshme - NACIONALE

OSBE: Jo mbyllje shërbimesh publike, por gjetje e zgjidhjeve të qëndrueshme

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar sot për aksionin e Policisë së Kosovës me 23 prill, gjatë të cilit iu vu dryri disa ndërtesave të strukturave paralele serbe në Shtërpcë dhe Leposaviq.

Nëpërmjet një reagimi të afishuar edhe në Facebook, ky mision ka vlerësuar se mbyllja e këtyre ndërtesave publike ka ndikuar edhe veprimtarinë e Qendrës për Mirëqenie Sociale.

Sipas OSBE-së, “ndërprerja e qasjes në shërbime jetike pa alternativa të qëndrueshme ndikon jopërpjestimisht për bashkësitë joshumicë dhe rrezikon në përkeqësimin e tensioneve të vazhdueshme.”

“Çështje të ndjeshme si këto duhet të trajtohen në bisedimet e lehtësuara nga BE, që mbeten hapësira më efektive për zgjidhje të qëndrueshme e përfshirëse”, ka përfunduar reagimi i OSBE-së.

Ndryshe, Policia e Kosovës gjatë së mërkures ka mbyllur zyrat e Fondit të Pensioneve dhe Invaliditetit, Shërbimin Kombëtar të Punësimit dhe Fondin Republikan për Sigurime Shëndetësore në Leposaviq – që të gjitha këto institucione paralele vepronin ilegalisht.

Gjatë po të nëjtit aksion dhe në po të njëjtën ditë, ishte mbyllur edhe Ndërmarrja Publike Komunale në Shtërpcë. Aty qe mbyllur edhe kompania e ujësjellësit dhe mbeturinave “Novo Javno Preduzece”.

Sipas Policisë së Kosovës, në konsultim edhe me Prokurorinë, është hapur edhe një rast për falsifikim dokumentash në Shërbimin Kombëtar të Punësimit në Leposaviq. /NACIONALE/


Lajme të ngjashme