“Opozitë e mjerë, e gjorë”, “Ky autokrat do të uzurpojë shtetin”: Kurti kthen tonet e vjetra zgjedhore, fushata nis ashpër - NACIONALE

“Opozitë e mjerë, e gjorë”, “Ky autokrat do të uzurpojë shtetin”: Kurti kthen tonet e vjetra zgjedhore, fushata nis ashpër

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Kosova po shkon sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për herë të tretë në 16 muaj, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit.

Zgjedhjet janë caktuar për 7 qershor, pasi Kuvendi u shpërnda automatikisht këtë javë, për shkak të mosarritjes së konsensusit brenda afatit kushtetues.

Kriza politike ka thelluar përplasjet mes pushtetit dhe opozitës, të cilat shkëmbejnë akuza për përgjegjësinë e situatës së krijuar.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin në detyrë për krizën aktuale politike.

“LVV me duartrokitje e dërgoj vendin përsëri në zgjedhje, sepse Albin Kurti nuk don me qeverisë, ai don me sundu”, tha Bajrami.

Ajo shtoi se kryeministri “për të dytën herë e kthej prapa besimin e popullit”.

Edhe Avdullah Hoti nga LDK-ja përdori tone të ashpra, duke e cilësuar situatën si rrezik për rendin institucional.

“Më 7 qershor duhet sërish t’u drejtohemi kutive të votimit. Kjo po ndodh për arsyen e thjeshtë: një autokrat dëshiron të uzurpojë shtetin”, deklaroi ai.

“Kjo nuk mund të ndodhë. Nuk do të lejojmë të ndodhë”, shtoi Hoti.

Ai bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke thënë: “Më 7 qershor duhet të bashkohemi të gjithë në refuzimin qytetar ndaj këtij personi”.

“Shteti është shtet, nuk nëpërkëmbet, nuk abuzohet me të”, përfundoi ai.

Nga PDK-ja, Enver Hoxhaj e konsideroi shkuarjen në zgjedhje si përgjegjësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit në detyrë.

“Është dështim i atij i cili fitoi zgjedhjet më 28 dhjetor, i Kurtit”, tha ai.

Sipas tij, fitorja zgjedhore nënkupton përgjegjësi për ndërtimin e institucioneve, përfshirë zgjedhjen e presidentit.

“Kur i fiton zgjedhjet nuk fiton vetëm me qeverisë, i fiton për ta drejtuar vendin”, theksoi Hoxhaj.

Ai kritikoi prioritetet e qeverisë, duke thënë se rendi institucional është anashkaluar.

“Do duhej të zgjidhej fillimisht presidenti”, u shpreh ai.

Hoxhaj shtoi se zhvillimet nuk ishin befasi, duke i quajtur përpjekjet e qeverisë “teatër politik”.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje fajëson opozitën për bllokadën, duke e akuzuar për bojkot të qëllimshëm të seancave.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kritikoi ashpër opozitën në fjalimin e tij para shpërndarjes së Kuvendit.

“Ata janë të vetëdijshëm që zgjedhjet nuk janë zgjidhje, nuk duan përgjegjësi, nuk duan pushtet”, deklaroi ai.

Kurti shtoi se opozita synon të pengojë qeverisjen e shumicës parlamentare.

“Nuk duan që këtë mos ta kemi as ne”, tha ai.

“Për këtë nuk vendosin ata, vendos populli i Kosovës”, deklaroi Kurti.

“Mbështetja për neve vetëm sa për rritet”, tha ai.

Ai e cilësoi opozitën si “në rënie të lirë”, duke shtuar se vendit i duhet një alternativë e re opozitare.

“Kosova për të pasur presidente të re duhet të ketë opozitë të re”, deklaroi Kurti.

Ndërkohë, faktori ndërkombëtar ka shprehur shqetësim për zhvillimet politike në vend.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se “bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës”.

“Do të donim t’i shihnim të gjitha grupet politike të bashkëpunojnë për interesat më të mira të popullit”, shtoi ai.

Përkundër përplasjes politike, partitë kanë arritur dakordim për datën e zgjedhjeve.

Përfaqësues të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së e konsiderojnë 7 qershorin si datë adekuate.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se partia e tij është e gatshme për zgjedhje brenda çdo afati kushtetues.

“Shumica e partive politike kanë qenë për datën 7”, deklaroi ai.

Lajme të ngjashme