Opozita zbret në terren: Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj i intensifikojnë takimet me strukturat partiake
Liderët e partive opozitare kanë shtuar aktivitet e tyre në terren. Gjatë këtij muaj, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiki dhe Ramush Haradinaj pothuajse për çdo ditë vizitojnë strukturat e tyre partiake nëpër komuna të ndryshme në Kosovës.
PDK, LDK dhe AAK nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim se pse po ndodh ky intensifikim i aktiviteteve në terren.
Në bazë të njoftimeve partiake, ajo që bije në sy është se ata vizitojnë kryesisht komunat që qeverisen nga bashkëpartiaket e tyre.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, këto dita ka vizituar Prizrenin, Mitrovicën e Jugut, Kaçanikun, Vushtrrinë, dhe Ferizajn.
I pari i PDK-së, gjithashtu, ka vizituar edhe disa komuna që nuk qeverisen nga PDK-ja.
Se fundi, ai ka qëndruar edhe në Gjakovë nga ku është zotuar që PDK-ja do ta rikthej në nivel qendror modelin efektiv të qeverisjes.
“Unë jam i impresionuar nga puna që është bërë në të gjitha këto qendra e ndërmarrje të cilat i vizitova sot dhe me të vërtetë, na takon secilit, pavarësisht pozicionit, që të jemi pranë ndërmarrësve, të jemi pranë inovatorëve, që të jemi pranë qytetarëve, për të lehtësuar jetën e tyre, sepse modeli qeverisës ekzistues është model, i cili ka sjellë vetëm regres”, ka thënë Krasniqi, sipas një komunikate për medie të PDK-së.
Ai ka treguar për vlerat e modelit qeverisës së PDK-së.
“Ndërsa, ne besojmë që do të rikthejmë modelin efektiv të qeverisjes, si një qeveri e cila e mban fjalën, që kryen punë edhe që lehtëson jetën e qytetarëve, ashtu siç po bëjmë në të gjitha komunat të cilat udhëhiqen nga kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës”, është shprehur Krasniqi.
Po ashtu, Krasniqi ka vizituar edhe Vitinë.
Aktivitet të shtuar ka pasur edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Një ditë më parë, ai ka vizituar Istogun dhe Komunë e Klinës, e cila qeveriset nga Zenun Elezaj i AAK-së.
“Kryetari Zenun Elezaj dhe qeverisja e Aleancës në Klinë po vazhdojnë të jenë shembull në qeverisje, pavarësisht diskriminimit që i bëhet nga pushteti qendror. Sot i’u bashkova kryetarit Elezaj, drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agron Bacaj dhe kolegëve tjerë në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e shtëpisë për të moshuar, projekt ky i financuar nga Komuna e Klinës”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.
Pak ditë më parë, ai ka vizituar edhe strukturat e AAK-së në Junik dhe komunën e Gjakovës.
Aktivitet më të varfër në teren ka pasur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Megjithatë, këtë javë ai ka vizituar komunën e Pjesë, e cila qeveriset nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së.
Këtu ai ka thënë se kjo komunë po punon sa krejt Qeveria e Kosovës.
“Se Gaz Muhaxheri fiton bindshëm, kjo s’është rastësi. Është punëtor, e bashkëpunëtor i ndershëm, prijës shembullor. Se LDK ka kuadro të tilla, nga ai tek secili drejtor e këshilltar lokal, është thjeshtë bekim. Me ta, e të tillë gjithandej Kosovës, ‘Rrugën e Re’ do ta bëjmë realitet. Kosova ka nevojë për projekte të mëdha infrastrukturore, për çerdhe, shkolla, spitale e jo vetëm. Kosova, mbi të gjitha, ka nevojë për punë e zhvillim, si përgjigje ndaj popullizmit polarizues e depresionit kolektiv. E ardhmja është e bukur. Ne kemi gjetur Rrugën e Re. Tani kemi nevojë për secilin prej jush ta bëjmë atë realitet”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në “Facebook”.
As dy partitë opozitare jo parlamentare, Nisma Socialdemokrate dhe Partia Socialdemokrate nuk ka qëndruar duarkryq në këtë drejtim. Edhe këto dy subjekte politike gjatë këtij muaj kanë pasur aktivitet të ndryshme nëpër komunat të Kosovës.