Opozita e kundërshton ministrin Murati për ekonominë: Po manipulon me të dhënat - NACIONALE

Opozita e kundërshton ministrin Murati për ekonominë: Po manipulon me të dhënat

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rritja e çmimeve, niveli i lartë i inflacionit, mungesa e investimeve kapitale, mungesa e investitorëve të huaja, janë veç disa nga sfidat me të cilat përballen qytetarët e Kosovës por edhe ekonomia kosovare në përgjithësi.

Në anën tjetër ka përplasje mes pushtetit dhe opozitës për të dhënat se ka rritje të ekonimisë në vend.

Një shkrim i ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në të cilin thuhet se ekonomia e vendit pavarësisht sfidave globale, po vazhdon zgjerimin edhe në tremujorin e dytë të këtij viti, po del të jetë manipulim nga ana e opozitës.

Përkundër sfidave të vazhdueshme globale, ekonomia e vendit tonë po tregon qëndrueshmëri të jashtëzakonshme duke vazhduar zgjerimin edhe në tremujorin e dytë të këtij viti. Kjo vërehet edhe në trendin e qarkullimit të bizneseve në vend.”, ka shkruar Murati të mërkurën në Facebook.

Ministri Murati, po ashtu, ka renditur edhe subvencionet që kanë ndarë për qytetarët, të cilat sipas tij, kanë ndikuar në rritjen e prodhimit, bizneseve dhe punësimin e qytetarëve.

Mirëpo, të dhënat e ministrit Murati, po duken të pa baza nga ana e opozitës.

Ministri i Financave i Qeverisë nën hije i PDK-së, Arben Mustafa ka theksuar se ministri Hekuran Murati, po manipulon me interpretimin e të dhënave, pasi sipas tij, realitet është ndryshe.

Treguesit e ekonomisë duhet të lexohen në mënyrë të drejtë dhe komunikimi me publikun duhet të jetë i sinqertë edhe kur zhvillimet në ekonomi nuk janë të favorshme. Përdorimi nga Ministri i Financave i treguesve nominalë, sikur ai i qarkullimit të bizneseve në kushtet kur inflacioni ka arritur norma dyshifrore, paraqet një manipulim me interpretimin e treguesve të ekonomisë, në përpjekje për të paraqitur te publiku një situatë të favorshme të ekonomisë, e cila fatkeqësisht nuk po ndodhë në vendin tonë.”, ka shkruar ai në Facebook.

Mustafa në reagimin ndaj ministrit Murati, ka thënë se Bruto Produkti Vendor shumë shpejt mund të arrijë në nivelet më negative.

Më tej ai shton se në Kosovë mungojnë investimeve kapitale por shqetësuese është edhe fakti se ka një rënie drastike e investimeve në sektorin privat.

Bruto Produkti Vendor po shënon një ngadalësim të theksuar të rritjes, i cili me trendin aktual shumë shpejtë mund të arrijë edhe në nivele negative. Rritja reale e BPV-së në tremujorin e dytë të vitit 2022 ishte vetëm 2.1%, më e ulëta e shënuar gjatë një tremujori të dytë që nga viti 2014, përjashtuar vitin 2020 kur kishim kufizimin e aktivitetit ekonomik për shkak të pandemisë. Një trend edhe më shqetësues paraqitet te investimet, të cilat paraqesin faktorin më të rëndësishëm të BPV-së për gjenerim të punësimit dhe të ardhurave për qytetarët. Përveç rënies drastike të investimeve kapitale të Qeverisë, shqetëson fakti se kemi një rënie të theksuar edhe në investimet e sektorit privat, të cilat në tremujorin e dytë të vitit 2022 shënuan një rënie vjetore prej 13.9%. Një rënie më e lartë se kjo e investimeve private ka ndodhur vetëm në vitin 2020 për shkak të pandemisë, kur kishim pothuajse një mbyllje totale të ekonomisë.”, ka shkruar ai.

Edhe ish-ministrja e Financave tani deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka demantuar të dhënat e ministrit Murati.

Bajrami ka thënë se Murati po krenohet me performancen e biznesve të cilët sipas saj deri dje i quante “oligarkë” dhe se rritja ekonomike në tremujorin e dytë të 2022, është vetëm 2.14 për qind.

Ekonomia e Hekuranit - Sot, ministri qenka lavdëru me përformancën e bizneseve private, atyre që deri dje i quante oligarkë. Minister, mirë shumë që ke reflektu, por kur vendosë me u lavdëru zgjedhi datat pak, se dje Agjencia e Statistikave të Kosovës e ka publikur raportin që matë përformancën tënde/Qeverisë. Rritja ekonomike në tremujorin e dytë është vetm 2.14%.”, ka shkruar ajo.

Kujtojmë se të dhënat që ka publikuar ministri Murati shpeshherë janë parë si dyshimta nga ana e opozitës.

Nga muaji qershor 2022, Agjencia e Statistikave të Kosovës është rikthyer në Zyrën e Kryeministrit, çka ka bërë që të ketë dyshime në manipulimin e statistikave.

Lajme të ngjashme