Opozita e ashpër me VV-në: E donin “Stacionin e Autobusëve” për të shpërndarë drogë me linja të autobusëve
Arrestimi për drogë i Besnik Mujecit, asamblistit të VV-së në Prishtinë, ka nxitur reagime të ashpra në vend. Partitë opozitare kanë kërkuar nga organet e drejtësisë të hetohet më gjerësisht ky rast, duke pretenduar se bëhet fjalë për një rrjet kriminal.
LDK-ja dhe PDK-ja kanë shprehur dyshime se Mujeci, i cili para pak kohe ishte emëruar aksionar në Ndërmarrjes Publike “Stacioni i Autobusëve” në kryeqytet, ka keqpërdorur këtë post për qëllime të ulëta.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhki, ka deklaruar se kjo afër tregon pse VV-ja në Prishtinë synonte marrjen e ndërmarrjes “Stacionin e Autobusëve”.
“Muaj më parë, Lëvizja Vetëvendosje kishte provuar me pazaret më të pabesueshme të mundshme, të përmbyste vullnetin e qytetarëve të Prishtinës, duke kapur ndërmarrjet publike të Kryeqytetit. Kjo tentativë e trishtë e tyre, kishte dështuar pa nisur mirë; ndonëse përballë na shpërfaqeshin grupet kriminale më të çuditshme. Se si ishin bërë bashkë të gjithë kundër shumicës sonë; ishte sa dëshpërim për nivelin politik në vend, aq dhe befasi. Kishte një interes që nuk e kuptonim dot atëherë. Synim asokohe - ndër të tjerash - ishte dhe marrja e Stacionit të Autobusësve të Kryeqytetit”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebok”.
Sipas tij, ky rast tregon gjithçka për synimet e VV-së.
“Sot, teksa një asamblist i tyre është arrestuar me plot 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro; si pjesë e një rrjeti që me linjat e autobusëve Prishtinë - Tiranë bartnin narkotikë në vazhdimësi; nuk ka se si të mos rikujtojmë insistimin e opozitës së Kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta vendosur të njëjtin asambleist - pikërisht këtë pra - si aksionar në këtë Stacion. Jo Termokos, Prishtina Parking, NPB, Pallat të Rinisë apo dhe secilën ndërmarrje tjetër në Kryeqytet, por vetëm në Stacion; aty ku linjat e autobusëve niseshin për çdo ditë. Pazaret e tilla duket se kanë patur një qëllim më të thellë. Prandaj dhe grupet, prandaj dhe nisma, prandaj dhe insistimi atëherë. Ftoj Prokurorinë e Shtetit të hetojë këtë rrjet; në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces”, ka shkruar ai.
Të njëjtat dyshime i ka shprehur edhe PDK-ja.
Shefi i asamblistëve të PDK-së në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ka thënë se nuk ka qenë e rastësishme caktimi i Mujecit si aksionar në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve”.
“Besnik Mujeci nuk është vetëm një asamblist i Komunës së Prishtinës. Ditë më parë, pikërisht me insistimin e partisë së tij, ai është caktuar si aksionar në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve”. Sipas informatave të Policisë së shtetit të Shqipërisë, droga është eksportuar nga Kosova në Shqipëri me autobusë. Arrestimi i asamblistit të Vetëvendosjes, aksionarit të Ndërmarrjes Publike “Stacioni i Autobusëve”, ngre dyshimet e bazuara se caktimi i tij në këtë pozitë të lartë si aksionar i kësaj ndërmarrje, nuk ka qenë aspak i rastësishëm”, ka thënë ai në një konferencë për medie.
Ai ka shprehur dyshime se në këtë rast janë të përfshira edhe njerëz tjerë të VV-së.
“Në të njëjtën kohë, i arrestuari, narko-trafikanti i Vetëvendosjes, Besnik Mujeci, është miku më i afërt i Gëzim Sveçlës, shefit të asamblistëve të kësaj partie në Prishtinë. Për ju që nuk e dini, Gëzim Sveçla është djali i axhës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Kjo nuk është e tëra: Ky lloj i drogës, i shpërndarë nga narko-trafikanti i Vetëvendosjes Besnik Mujeci, prejardhjen e saj e ka në Serbi. Pra, këta, e kanë marrë drogën në Serbi dhe e kanë sjellë në Kosovë dhe Shqipëri”, ka thënë Retkoceri.
Arrestimi i Mujecit
Besnik Mujeci, asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë, është në mesin e pesë personave të arrestuar nga Policia e Shqipërisë për përfshirje në kotrabandë të drogës. Madje, i një grupi të fuqishëm që shpërndante ekstazi nëpër vendet bregdetare gjatë këtyre kohëve.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Shqipërisë në një komunikatë të gjatë për media, raporton Nacionale.
“Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit: Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Mujecit dhe të arrestuarëve të tjerë u janë gjetur 11 mijë e 300 tableta ekstazi me peshë 5kg në vlerë 400 mijë euro.
Mujeci është asamblist i partisë në pushtet, Vetëvendosje, në komunën e Prishtinës. Ai ishte zgjedhur asamblist për herën e dytë.
“Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës "Myslym Shyri" dhe "Sami Frashëri", së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Plani për shpërndarjen e kësaj sasie ekstazie ishte i detajuar. Policia ka bërë të ditur se droga futej nga Kosova në Shqipëri me autobusë, duke shfrytëzuar sezonin turistik.

