Opozita akuzon Kurtin se po krijon tensione të panevojshme me aleatët ndërkombëtarë - NACIONALE

Opozita akuzon Kurtin se po krijon tensione të panevojshme me aleatët ndërkombëtarë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Subjektet opozitare kanë akuzuar kryeministrin Albin Kurti se me veprimet e tij të fundit po dëmton raportet me partnerët strategjikë të Kosovës.

Përfaqësuesit e këtyre partive kanë bërë me dije se kryeministri ka ashpërsuar gjuhën ndaj partnerëve perëndimorë, duke krijuar tensione të panevojshme.

Sipas tyre, krijimi i tensioneve në mes të Kosovës dhe vendeve të QUINT-it, shkon vetëm në favor të Serbisë.

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Betim Gjoshi, ka vlerësuar se duke tentuar që ta kompensojë humbjen e madhe të besimit të qytetarëve, Kurti po krijon rreziqe të panevojshme me aleatët.

Ditën që e kuptoi se ka rënie të madhe në elektorat dhe që kjo rënie nuk po di të ndalet, Albin Kurti ka filluar t'i shkruajë letra qortuese BE-së, pa arritur të dallojë se në çfarë gjuhe flitet me miq. Duke tentuar që ta kompensojë humbjen e madhe të besimit të qytetarëve, edhe të atyre që i besuan me sy mbyllur. Po krijon tensione dhe rreziqe të panevojshme me Aleatët e Republikës së Kosovës, të cilët ndihmuan në lirinë dhe pavarësinë e saj”, ka shkruar Gjoshi në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij, këto veprime të kryeministrit rrezikojnë edhe raportet me SHBA-të.

“Politika e tillë populiste dhe pa kokë e z. Kurtit, jo vetëm që do të krijojë frikë e panik të panevojshëm, por po rrezikon seriozisht raportet me SHBA-të dhe BE-në. Kjo politikë, me rezultatin e saj katastrofal, do të ishte dhurata më e mirë për Vuçiqin”, ka shkruar Gjoshi.

Edhe ish-kryeministri Isa Mustafa e ka komentuar veprimet e Kurtit ndaj partnerëve.

Ai ka treguar se zhgënjimet e vendeve të QUINT-it me kryeministrin aktual tani po bëhen publike edhe përmes deklaratave të përbashkëta.

Ish-lideri i LDK-së ka thënë se deklarata e parafundit e shteteve të QUINT-it ka qenë prej reagimeve më të rënda të aleatëve ndaj Kosovës.

“Përfundimi i deklaratës së QUINT-it se kjo sjellje e Qeverisë minon aspiratat evropiane, flet për seriozitetin e këtij reagimi. Është ndër reagimet më të rënda dhe potencialisht me rrezik afatgjatë për partneritetin e vendit tonë me BE dhe SHBA”, ka deklaruar Mustafa për Periskopin.

Edhe njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se Qeveria po tregon arrogancë ndaj ndërkombëtarëve.

Analisti Shkëlzen Maliqi ka deklaruar për gazetën Nacionale se Qeveria e Kosovës duhet të heqë dorë nga qasja e saj sovraniste ndaj partnerëve.

“Nëse kjo arrogancë sovraniste përsëritet, mund të komplikohen shumë raportet me vendet partnere. Ndoshta të gjithë nuk do të tërhiqen dhe do të tregojnë maturi deri sa pushtetarët tanë nuk mbushen mend, dhe ndoshta kriza rreth agresionit ndaj Ukrainës i ka mbushë pak mend, pasi që SHBA-të dhe BE-ja i kanë dërguar këto ditë delegacionet e nivelit të lartë për të rifuqizuar raportet e trazuara të partneritetit. Ta mendojmë mirë se pse në janar të këtij viti Kurti dhe Osmani nuk ishin të ftuar në konferencën e sigurisë në Mynih”, ka thënë Maliqi.

Dy ditë më parë, Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së kanë shprehur zhgënjimin e tyre me vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovës.

Në deklaratën e përbashkët, vendet e QUINT-it kanë vlerësuar se ky veprim i Qeverisë mund të dëmtojnë aspirata evropiane të Kosovës.

“Ne e pranojmë se është e drejtë e Qeverisë së Kosovës që të vendosë nëse do të lejojë apo jo lehtësimin e votimit në zgjedhjet e një vendi tjetër. Ndonëse e vlerësojmë disponueshmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT-i. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare. Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do t’i cenojë aspiratat e tyre evropiane”, është thënë në deklaratën e vendeve të QUINT-it.

Refuzimi i Qeverisë së Kosovës për mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit në Kosovë, ka nxitur reagime të shumta te serbët e Kosovës dhe zyrtarët më të lartë të Serbisë.

Në shenjë të pakënaqësisë, ata sot kanë organizuar protesta në Mitrovicë të Veriut, Graçanicë dhe Shtërpcë.

“Me paqe kundër dhunës së Kurtit", "Kurti nuk do t'i dëbojë serbët nga Kosova dhe Metohia", "Duam vetëm të drejtat tona", ishin vetëm disa nga parullat me të cilat sot kanë protestuar serbët.

Lajme të ngjashme