Emrat e rrugëve midis politikës dhe burokracisë shtetërore - NACIONALE

Emrat e rrugëve midis politikës dhe burokracisë shtetërore

2 orë më parë

nga Col Mehmeti

Tabloja e emrave të rrugëve (odonimeve) në Maqedoni të Veriut nuk është alarmuese, siç krijohet përshtypja. Nga Shkupi gjer në Tetovë, emra domethënës shqip ka kudo, si “Adem Demaçi”, “Ukshin Hoti”, “Azem Hajdari”, etj. Por, problemi është më tepër strukturor ku disa institucione shtetërore krijojnë telashe të panevojshme. Ministria e Brendshme dhe Regjistri Qendror shpesh nuk i përfshijnë në sistem ndryshimet e emrave të rrugëve. Rasti i fundit në Tetovë më fort flet për politikat e brendshme. Lëvizja Besa, që ka pushtetin aty, duket si peng i pazareve të bëra në zgjedhje me partitë maqedone në nivel lokal e qendror. Këto të fundit kanë vënë si ‘kusht’ që emrat e ish-pjesëtarëve të UÇK-së të mos figurojnë në rrugë.

Col Mehmeti

19 qershor 2026 – Ka mjaftuar një procedim i të ashtuquajturit Union i Luftëtarëve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe Luftës Antifashiste të Maqedonisë që Tetova të ‘rikthehet’ papritur në vitin 2007.

Duke përfillur ankesën e tyre, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka shfuqizuar vendimin e vitit 2007 kur pushteti lokal i BDI-së kishte emërtuar disa rrugë me emra shqip.

Pasojisht, disa rrugëve në Tetovë, sipas vendimit të Kushtetueses, u hiqen emrat shqip dhe u vendosen ata maqedonas.

Kështu, “Marshall Tito” zëvendëson emrin e sheshit “Iliria”, “JNA” rikthehet në vend të “Dervish Cara” dhe “29 Nëntori” në vend të “Mehmet Pashë Deralla”.

Në të mirë të këtij vendimi ngritën dorën ‘për’ pesë gjyqtarët maqedonas, kurse kundër votuan dy gjyqtarë shqiptarë dhe një turk.

‘Veteranët’ duan trashëgimi komuniste dhe jo të UÇK-së

Në mars të këtij viti, Kushtetuesja e hapi si lëndë kërkesën e ‘veteranëve’ maqedonas.

ankesën e tyre, ata kërkonin që të vlerësohej kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e vendimit të Këshillit të Komunës së Tetovës.

Sipas tyre, më 2007 ishin ndryshuar emrat e rrugëve pa pëlqimin e Qeverisë dhe në kundërshtim me Ligjin për Caktimin e Emrave të Rrugëve, Shesheve, Urave dhe Objekteve të tjera infrastrukturore.

Kushtetuta dhe Ligji urdhërojnë që emrat e rrugëve të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin cirilik. Është e paligjshme që rruga të quhet ‘Kongresi i Manastirit’ ose ‘Dëshmorët e Kombit’ pasi ato janë të shkruara në gjuhën shipe, por në shkrim cirilik”, thuhej në nismën e ‘veteranëve’ maqedonas.

Sipas tyre, emrat shqip të rrugëve duhet të përkthehen dhe të kenë kuptim në maqedonisht.

Billi, ‘rob’ i pazareve me partitë maqedone

Ky zhvillim vjen si një ‘dush’ i ftohtë për Lëvizjen Besa që udhëheq prej vitesh me pushtetin lokal në Tetovë.

janar të vitit të kaluar, kryetari Bilall Kasami paralajmëroi se do të ndryshoheshin emrat e rrugëve pa konsensus dhe pa shumicën e Badinterit.

Një grup punues, i formuar në gusht të 2024-s, mori përsipër emërtimin e rrugëve që në këtë komunë ende vijojnë të mos kenë emra zyrtarë.

Sipas zyrtarëve të komunës, në Tetovë, nga 265 rrugë, vetëm 111 kanë emra, 113 kanë numra, kurse 41 të tjera janë pa asnjë emërtim.

Brenda dy vitesh, Kasami u spraps dy herë përballë opozitës maqedone në Tetovë.

Kundërshtimet e ‘veteranëve’ të Luftës së Dytë Botërore dhe VMRO-DPMNE-së e LSDM-së ishin që në Tetovë të mos kishte emërtime të reja të rrugëve me emra të ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Ndërkaq, në valën e kritikave të këtyre ditëve nga pala shqiptare, Kasamit i është përmendur paaftësia për të mbrojtur vendimin institucional që ishte marrë në vitin 2007 kur në krye të komunës ishte Hazbi Lika nga radhët e BDI-së.

zgjedhjet e vjetme lokale, Bilall Kasami bëri diferencë falë kontigjentit të votave maqedonase në Tetovë.

Në garën me Bajram Rexhepin nga radhët e BDI-së, Kasami mori 19,028 vota, por në balotazh mori 21,308, që më shumë gjasë ishin vota maqedonase.

Kur Ministria e Brendshme iu kundërvihet komunave shqiptare

Por, si është tabloja e vërtetë e emrave shqip të rrugëve në qytetet kryesore të Maqedonisë së Veriut?

Në të vërtetë, prania e emrave të personaliteteve nga historia shqiptare nuk është e neglizueshme.

Për shembull, në gusht të 2023-s, një nga rrugët në Shkup, brenda komunës së Çairit, u emërtua “Adem Demaçi”.

Në Shkup ka edhe emra rrugësh si “Azem Hajdari” e “Ukshin Hoti”.

Problemi kryesor ka qenë se, pavarësisht vendimeve të Këshillave Komunalë, niveli qendror nuk shfaqte vullnet për t’i zyrtarizuar ato.

Fjala vjen, Ministria e Brendshme dhe Regjistri Qendror nuk i përfshinin në sistem ndryshimet e bëra, duke shkaktuar ngatërresa meqë emrat e rinj referoheshin vetëm në dokumentacionin e komunave.

Më 2004 u miratua Ligji për Caktimin e Emrave të Rrugëve, Shesheve, Urave dhe Objekteve të tjera infrastrukturore.

Neni 3 i Ligjit në fjalë përcakton përdorimin e emrave apo numrave të rrugëve, kurse neni pasues përcakton këshillat komunalë si përgjegjës për caktimin e emërtimeve.

Në nenin 5 të po të njëjtit ligj përcaktohen si të përshtatshëm për përdorim emra gjeografikë, historikë, shkencorë e kulturorë, ashtu sikurse edhe emra e data të rëndësishme ngjarjesh të ndryshme.

Odonimia, shkenca e ‘panjohur’ e studimit të emrave të rrugëve

Çështja e emërtimit të rrugëve, përtej aspektit të saj burokratik, përbën interesimin e një disipline të veçantë brenda gjuhësisë.

Odonimia (nga greqishtja hodós ‘rrugë’ dhe ónyma ‘emër’) merret me studimin e emrave të rrugëve, sidomos emrave urbanë.

Odonimet shqipe i janë nënshtruar edhe një studimi interesant, botuar vite më parë, nga Manjola Zaçellari dhe Lirim Shabani.

Duke i gjykuar emrat e rrugëve si të rëndësisë së dorës së parë për ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore e kulturore, dy studiuesit vinin në pah edhe probleme aktuale.

Njëri prej tyre është që emrat maqedonisht të shumë rrugëve në komuna ku shqiptarët janë mbi 20 për qind nuk janë përkthyer fare në shqip.

Të tilla janë emra rrugësh si “Kosturski heroi”, “Partizanski odredi”, “Makedonsko-Kosovska udarna brigada”, “Ohridska”, etj.

Po të respektohej ligji, emrat e tyre do të duhej të përktheheshin edhe në shqip, si “Heronjtë e Kosturit”, “Aradhat partizane”, “Brigada Sumuese Maqedono-Kosovare”, “Rruga e Ohrit”, etj.

Probleme burokratike

Institucionet shpesh tregohen sabotuese kur propozimet për emra të rinj reflektojnë personalitete shqiptare.

Një rast i tillë ishte kur, në shkurt 2021, Këshilli i Qytetit të Shkupit miratoi një listë me emra rrugësh ku përfshiheshin të tillë, si Asdreni, Dritëro Agolli, Fatos Arapi e Shqipëria.

Regjistri Qendror konsideroi se vendimi nuk ishte bërë në përputhje me Ligjin për caktimin e emrave.

Një problem tjetër, jo më pak i vogël, është edhe mungesa e standardizimit.

Sipas rregullit, emrat e rrugëve, pasi të miratohen nga këshillat komunalë, duhet të miratohen nga Ministria e Brendshme dhe t’i përcillen Komitetit për Standardizimin e Emrave Gjeografikë, ashtu që të ketë uniformitet brenda vendit. /Nacionale/



Lajme të ngjashme