Oda Ekonomike me reagim të ashpër: Situatë kaotike me energjinë, sot gëzohen veç armiqtë e Kosovës - NACIONALE

Oda Ekonomike me reagim të ashpër: Situatë kaotike me energjinë, sot gëzohen veç armiqtë e Kosovës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Oda Ekonomike e Kosovës me një reagim të gjatë për media, ka theksuar se janë të shqetësuar me situatën me energji elektrike.

Në reagim thuhet se situatës aktuale i gëzohen vetëm armiqtë e Kosovës.

Komunikata:

Oda Ekonomike e Kosovës kundërshton ndërprerjen e energjisë që rrezikon bizneset dhe ekonominë e vendit

Oda Ekonomike e Kosovës ka përcjellë sot me shqetësim situatën kaotike që është krijuar nga vendimi i jashtëligjshëm i ZRrE-së për ndërprerjen e energjisë elektrike. Ky është një vendim që sot ka goditur në mënyrën më të ulët bizneset, ekonominë e vendit dhe për më keq, qytetarët e Republikës së Kosovës.

Kemi pranuar ankesa nga bizneset se zyrtarët e KEDS-it, nën shoqërimin e policisë kanë shkuar në objektet dhe hapësirat e bizneseve për të ndërprerë energjinë elektrike. Prania e policisë ka krijuar një imazh shumë negativ tek kompanitë, sidomos tek investitorët e huaj. Qëndrimi prapa i aparaturës policore në ekzekutimin e këtij vendimi paraqet jo vetëm humbje shprese për të sjellë investime të huaja, por edhe humbje të mundësive për zgjerimin e investimeve të bizneseve vendore.

Gjithashtu, kemi raste kur bizneset kanë kontrata të lidhura, por zyrtarët e KEDS-it prapëseprapë kanë shkuar për të ndërprerë energjinë elektrike. Po ashtu, kemi biznese që nuk e plotësojnë kriterin ligjor për të dalë në tregun e lirë të energjisë elektrike, megjithatë edhe atyre u është ndërprerë energjia. Kjo e tregon më së miri se procesi i daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka qenë fare i përgatitur.

Për këtë arsye, i bëjmë thirrje ZRrE-së të ndalojë menjëherë këto veprime arbitrare (dhunshme) dhe të kthehet në dialog me përfaqësuesit e sektorit privat për të organizuar një tranzicion të mirëplanifikuar për daljen në tregun e lirë të energjisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohen bizneset të cilat përbëjnë 60% të ekonomisë së Kosovës, kanë të punësuar 143 mijë qytetarë të vendit dhe janë më meritorët për stadin ku ka arritur zhvillimi i shtetit të Kosovës.

Një vendimi të tillë si sot, të vetmit që iu janë gëzuar janë armiqtë e Kosovës.

Lajme të ngjashme