Obiliq: Reja e drejtorit të Arsimit, bëhet sekretare në një nga shkollat më të mëdha të komunës - NACIONALE

Obiliq: Reja e drejtorit të Arsimit, bëhet sekretare në një nga shkollat më të mëdha të komunës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Çfarë bën vjehrri për të renë? E rehaton me vend të punës. Kështu ka ndodhur në kounën e Obilit, ku reja e drejtorit të Arsimit është përzgjedhur si sekretare në një nga shkollat më të njohura. Nacionale sjell detaje.

Me triumfin e Xhafer Gashit në zgjedhje lokale, Sahit Zeqiri do të emërohej drejtor i Arsimit në këtë komunë.

Megjithatë, Sahiti nuk do të mbetej i vetmi që do të bëhej pjesë e sektorit të arsimit në komunën e Obiliqit.

Kaluan më shumë se dy vjet e gjysmë kur edhe dikush i afërm nga familja e Sahit Zeqirit ta fitonte një vend pune.

E reja e Sahit Zeqirit, Fitore Jusufi-Zeqiri, më 14 shkurt të këtij viti, u përzgodh në pozitën e sekretares në shkollën “Ibrahim Rugova” në Obiliq. Shkollë e cila vlerësohet nga më të njohurat në këtë komunë.

Nacionale e ka siguruar vendimin e emërimit të Jusufi-Zeqirit, e ku thuhet se kjo kandidate ka qenë më e suksesshmja.

Ajo në testin me shkrim mori 89 pikë, kurse në intervistën me gojë 97 pikë. Pra, nga vetëm tri pikë më pak se vlerësimi më i madh për renë e drejtorit të Arsimit, e cila mori një pozitë nga Drejtoria e Arsimit. Në komunën e njëjtë, pra të Obiliqit.

Fitore Jusufi-Zeqiri është bashkëshortja e djalit të drejtorit të arsimit në Obiliq, Burim Zeqirit. Kjo konfirmohet edhe në rrjete sociale. Aty Burimi e kishte uruar babain e tij për përzgjedhjen në pozitën e drejtorit, kurse tek të dhënat në facebook, e ka që është i martuar me Fitoren.

Nacionale ka kontakuar edhe me drejtorin e Arsimit në komunën e Obiliqit, Sahit Zeqirin.

No description available.

Ky i fundit e ka konfirmuar se kërkesa për këtë pozitë është bërë nga Drejtoria e Arsimit në zyrën e burimeve njerëzore. Megjithatë, ai ka mohuar të ketë pasur ndonjë ndikim që reja e tij të përzgjedhet në pozitën e sekretares në këtë shkollë.

“Shkolla, SHFMU"Dr.Ibrahim Rugova" Obiliq i ka gjithësej 1317 nxënës dhe pozita e sekretarit është e lejuar me ligj. Ne kemi bërë kërkesë përë këtë pozitë pune në zyren e burimeve njerëzore në komunë dhe ata e kanë shpallë konkursin përë këtë pozitë pune dhe njëkohesisht duke e zbatuar ligjin, kanë bërë rekrutimin e konkursit duke filluar nga formimet e komisioneve deri te vendimi përfundimtar”, ka thënë drejtori për Nacionalen.

“Zotohem se nuk jam involvuar për asnjë ndërhyrje gjatë rekrutimit të konkursit për këtë pozitë pune”, përfundoi ai në këtë përgjigje.

Zgjedhjet lokale në komunën e Obiliqit i kishte fituar Xhafer Gashi si kandidat i pavarur.

Pas disa kohës, Gashi kaloi në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke e udhëhequr tashmë këtë komunë si kryetar i LDK-së.

Lajme të ngjashme