“Nxitje e përçarjes dhe mos durimit”: Sulmi fizik ndaj Valon Sylës, krejt çka ndodhi - NACIONALE

“Nxitje e përçarjes dhe mos durimit”: Sulmi fizik ndaj Valon Sylës, krejt çka ndodhi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmi fizik pranë një lokali në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë ndaj gazetarit dhe analistit të njohur Valon Sylës, ka shkaktuar reagime të shumta, përfshirë politikanë dhe njerëz të shoqërisë civile. Sulmi ndaj Sylës që nga dje është bërë kryefjala në mediat vendase.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Kosovës lëshuan një komunikatë të përbashkët për tre të arrestuarit të dyshuar për sulm ndaj gazetarit Valon Syla. Në këtë komunikatë thuhet se arrestimi i tre të dyshuarve është arritur pas një punë intensive të Policisë së Kosovës përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizimit.

Tre personat e arrestuar dyshohen për kryerjen e veprës penale “Nxitje e përçarjes dhe mos durimit”.

“Të arrestuarit janë personat e dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H. si dhe të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’.” – u tha në njoftim.

Syla tregon si ndodhi sulmi

Syla ka treguar se si ka ndodhur sulmi ndaj tij nga tre persona, të martën në orët e vona në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

I ftuar në emisionin Pressing në T7, Syla ka thënë se një djalë i ri rreth të 30-ave e ka thirrur duke i thënë ‘a po vjen dej qetu’, sipas Sylës në momentin kur ja ka pa mjekrën e ka ditur që është fetar.

“Unë kam qenë me Ilirin. E shihte në pasqyrë që dikush nga afër po mundohej të afrohej. Menduam se ishte Leo. Kur u afrova tek shkallët mu afrua një person, që mund ta identifikoj tani, por nuk e njoh. Ilir ishte duke parkuar kerrin. Aty brenda kanë qenë edhe disa gazetarë tjerë. Ishte një djalë i ri rreth të 30-ave. Më tha ‘a po vjen dej qetu’. Si ja pashë mjekrën e dita që është fetar. Kishte mjekër dhe trenerka kështu dukej si shoumen. Edhe i dhunshëm. U mundova të vrapoj që të hapi derën dhe pastaj ata do largoheshin pari që mund të shihnin njerëz brenda dhe do frikësoheshin. Nuk u hap dera menjëherë. Pastaj më grushtuan. Edhe me pjesë metalike të orës. U mundova ta ruaj fytyrën. Ilir Mirena u ngut dhe largoi njërin, pastaj edhe tjerët dolën nga brenda. Ata ikën. Por mjaftoi që të më shkaktonin lëndime.” - ka bërë të ditur Syla.

Heshtja e presidentes Osmani

Edhe pas 24 orëve nga sulmi fizik ndaj gazetari Syla, Osmani nuk ka gjetur ende kohë për të dënuar sulmin, që u cilësua si sulm ndaj lirisë së shprehjes.

Shumë reagime, përfshirë të kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Konjfuca, ka pasur gjatë ditës, megjithatë e para e shtetit ende nuk ka thënë as edhe një fjalë.

Lidhur me mosreagimin e presidentes, Syla ka thënë se Presidenca e Kosovës është e gjithë qytetarëve të vendit, duke përfshirë edhe veten si një qytetar i Kosovës.

Ai ka kritikuar mungesën e reagimit të Presidentes Osmani ndaj këtij sulmi, duke thënë se ajo nuk guxon të bjerë pre e inateve personale dhe duhet të konsiderojë veten si Presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës, jo vetëm e disa individëve.

“Ajo çka mundëm më thënë është se Presidenca është e krejt kosovarëve e unë jam qytetar i Kosovës. Unë mundem mos me dashtë Prindonin edhe mundem me kritiku zonjën Osmani por ajo është Presidente e imja dhe e të gjithë qytetarëve që e kanë pasaportën si timen. Ajo nuk guxon me ra pre e inateve personale. Kaq mund të them. A reagon a s’reagon nuk ka rëndësi për mua, është më rëndësi për Kosovën ta shohë që këtu ka Presidentë vetëm të disave dhe jo të të gjithëve” – ka thënë Syla.

Mbi 90% e ndjekësve të Konjufcës në “Facebook” e përkrahin dhunën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla dhe ka qenë një ndër politikanët e parë që ka reaguar ndaj kësaj ngjarjeje. Por, ajo që u pa në komentet e statusit të tij në “Facebook” ishte e tmerrshme.

Më shumë se 90% e komenteve janë shprehur në favor të dhunës ndaj gazetarit Syla, duke u munduar ta shtjellojnë “lirinë e shprehjes”. Kjo tregon një këndvështrim negativ ndaj gazetarëve dhe lirisë së medias, duke e quajtur reagimin e Kryetarit të Kuvendit si të panevojshëm ose të padrejtë.

“Liria e shprehjes ka edhe kufirin e vet, e jo me ofendu hoxhën dhe me u tallë me fenë islame. I kalon atij, nuk e ka "sefte", është mësu. E shpresoj që një ditë do ta kupton që liria e shprehjes e ka kufirin e vet”, ka shkruar Labinot Egzona Goca.

Në komente është kritikuar Konjufca se pse ka reaguar për këtë rast.

“Jo i nderum kryeparlamentar, liria e shprehjes eshte gjer ne ate pike sa nuk i cenon ndjenjat shpirterore dhe morale te kujdoqofte,ne momentin kur cenon ndjenjat shpirterore dhe morale te nje personi ose me shum personave ateher nuk kemi te bejm me liri te shprehjes por kemi te bejm me nje njeri te pa ndërgjegjshëm”, shkruan një komentues tjetër.

Aty nuk kanë munguar as fyerjet nga gazetarit Valon Syla.

Sipas shumë prej tyre, Syla e njeh vetëm gjuhen e forcës.

“Liria e fjales nuk do te thot se garantohet edhe ateher kur shpif ose perqesh te tjeret. Fjala e thene ka pergjegjesi… e ky taraki Valon Syla nuk njeh pergjegjesi, por vetem dajak….”, ka shkruar Elbasan Z. Mustafa

Lajme të ngjashme