Nura i ashpër me Qeverinë Kurti: Në kohë të Millosheviqit, përjashtoheshin rajone
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura ka reaguar pas publikimit të planifikimit buxhetor të Qeverisë së Kosovës për vitin e ardhshëm për komunat.
Sipas “Express”, ai në Frontal ka deklaruar që një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Kosovë pas luftës dhe se rajone të caktuara janë anashkaluar nga Jugosllavia e Millosheviq.
“Është e pashpjegueshme. Precedent që ka ndodhur për herë të parë që nga paslufta, nuk dua të hyjë para luftës, sepse e njohim historinë, regjione të caktuara kanë qenë të anashkaluara nga mbretëria serbo-kroate-sllovene, Jugosllavisë dhe kohës së Millosheviqit. Është e pashpjegueshme. Vërehet që ka nuanca politike, por përtej dallimeve politike, qytetarët janë taksapgues dhe shpërndarja duhet të ishte proporcionale dhe e barabartë. Është ndarje me direktiva politike.” – citohet se ka deklaruar ai.
Ndërkohë, Qeveria Kurti ka diskriminuar Komunën e Skenderajt, duke mos e përkrahur financiarisht me ndonjë projekt kapital për vitin 2024.
Ndërkohë, në një tubim elektoral në vitin 2013, para qytetarëve të Skenderajt, Kurti kishte thënë se Qeveria e saj kohe vetëm kishte krijuar përshtypjen se po e ndihmon Drenicën.
“Qeveria e Kosovës e ka krijuar përshtypjen që po e zhvillon dhe po e ndihmon Drenicën shumë, mirëpo komuna e Skenderajt është komuna me nivelin më të naltë të papunësisë në Kosovë, plot 67 për qind, dhe nder komunat më të varfra në Kosovë. Nëse kështu po e ndihmon Qeveria e Kosovës Skenderajn, besoj që Skenderaj është shumë më mirë ia del pa ndihmën e Qeverisë së Kosovës.” – kishte thënë Kurti.