Numri zyrtar i viktimave nga tërmeti shkon në 33 mijë e 179, OKB paralajmëron se mund të dyfishohet - NACIONALE

Numri zyrtar i viktimave nga tërmeti shkon në 33 mijë e 179, OKB paralajmëron se mund të dyfishohet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Numri i viktimave nga tërmeti tmerrues ka shkuar në 33 mijë.

Shifra e të vdekurve nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë javën e kaluar arriti në 33 mijë gjatë ditës së diele, me Organizatën e Kombeve të Bashkuara që ka paralajmëruar se numri madje edhe mund të dyfishohet.

Zyrtarët dhe mjekët thanë që 29 mijë e 605 njerëz kishin vdekur në Turqi dhe 3575 të tjerë në Siri, duke e çuar numrin e të vdekurve në 33 mijë e 179.

Lajme tjera nga tërmeti

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad e ka falenderuar shtetin e Emirateve të Bashkuara Arabe për ndihmën e saj dhe dhjetëra milionat e premtuara si ndihmë për vendin e tij që u godit nga tërmeti.

Donacionet britanike ndërkohë, siç ka njoftuar The Guardian, kanë arritu në 60 milionë funte në vetëm tri ditë. Këto mjete janë të dedikuara për Turqinë dhe Sirinë.

Ndërkohë, një lajm tjetër vjen nga Gjermania.

Qeveria federale e Gjermanisë dëshiron që përkohësisht të lehtësojë procedurat e vizave për të mbijetuarit e tërmetit në Turqi dhe Siri që kanë të afërm në Gjermani, nëse mund të përballen me situatën ku janë të pastrehë apo të lënduar.

Ministrja gjermane e brendshme, Nancy Faeser, shkroi në Twitter të shtunën se kjo kishte të bënte me një çështje ndihme.

Miliona njerëz në Gjermani kanë origjinë turke, pasi Gjermania Perëndimore kishte rekrutuar shumë punëtorë nga Turqia prej viteve ’60. Ndërkohë, edhe numri i sirianëve është rritur shumë viteve të fundit me shumë refugjatë që kanë kërkuar azil në këtë vend duke ikur nga lufta civile.

Një tjetër lajm i rëndësishëm erdhi qysh në mëngjes me autoritetet turke që u raportua se kishin bërë më shumë se 100 arrestime në lidhje me shembjen e ndërtesave. Mes të arrestuarve kishte kontraktorë, arkitektë e inxhinierë të lidhur me dhjetëra mijëra ndërtesa të shkatërruara apo të dëmtuara seriozisht në tërmetet e të hënës.

Lajme të ngjashme