Nuk shkoi në seancë, por për çfarë akuzohet nga prokuroria Glauk Konjufca?
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, përderisa po e udhëhiqte seancën e Kuvendit, do të duhej të ishte në një vend tjetër. Për sot, Konjufca e kishte të caktuar seancën gjyqësore ku po akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës dhe pengim të personave në kryerjen e detyrës zyrtare. Gazeta Nacionale ka siguruar aktakuzën dhe sjell detaje.
Kryeparlamentari Konjufca nuk është paraqitur në seancën gjyqësore të së enjtes. Për këtë, raportoi më herët ekskluzivisht gazeta Nacionale. Ai ka kërkuar nga gjykata që për shkak të angazhimeve, seanca të shtyhet. Si pasojë, seanca e planifikuar për sot nuk është mbajtur.
Për çfarë akuzohet Konjufca?
Glauk Konjuca akuzohet se më 10 gusht të vitit 2016 gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka hedhur gaz lotsjellës. Si rezultat, ai akuzohet për veprën penale përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm sipas ligjit.
Konjufca gjithashtu në po të njëjtën ditë ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht deputetët e partive politike, duke i detyruar të largohen nga salla. Me këtë, ai akuzohet për veprën penale pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Personat zyrtarë që Konjufca i kishte penguar janë: Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq
Prokuroria në aktakuzë ka shkruar se kanë prova të mjaftueshme, të cilat dëshmojnë përfshirjen e Konjufcës në këto vepra penale.
Çfarë kishte deklaruar Konjufca?
Në Prokurori, Konjufca e ka pranuar se i ka kryer veprat penale, por kishte shtuar se këto veprime nuk kanë qenë inkriminuese. Ai kishte thënë se gazi lotsjellës nuk është armë, dhe nuk mund të jetë i rrezikshëm. Konjufca në cilësinë e të pandehurit, e kishte pranuar se ka tentuar t’i pengojë personat në kryerjen e detyrës, por që nuk ia kishte arritur. Kjo pasi mbledhja e kryesisë aso kohe ishte mbajtur me 30 minuta vonesë.
Këto vepra penale, Konjufca i kishte kryer në kohën kur Kosova ishte nën tensione pas protestave të opozitës për çështjen e demarkacionit dhe asociacionit.
Megjithatë, këto vepra penale rrezikojnë të parashkruhen, njëjtë siç kishte ndodhur me rastin e Ramush Haradinajt ditë më parë.
Për shkak të parashkrimit, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka pushuar procedurën penale ndaj ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt dhe shtatë të akuzuarve tjerë, Rexhep Selimi, Lah Ibrahimaj, Zafir Berisha, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Ymeri.
Të njëjtit akuzoheshin se në nëntor të 2015-ës penguan zyrtarët policorë në arrestimin e tani kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.