Nuk ndalet pushteti: Edhe Arben Vitia në sulm ndaj Prokurorisë
Sulmet ndaj Prokurorisë e në përgjithësi ndaj sistemit të drejtësisë, nuk po ndalen. Tash radha për të sulmuar Prokurorinë i ka ardhë edhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai gjatë konferencës për media ka thënë se Prokuroria po iu bën presion Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetsisë, Arben Vitia, ka thënë se Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) dhe Prokuroria po bëjnë presion ndaj ministrisë së Shëndetësisë për tenderin për insulina.
Në konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë, Vitia është shprehur i shqetësuar teksa është hedhur në sulm ndaj OSHP-së dhe Prokurorisë.
“Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës shpreh edhe një herë shqetësimin në lidhje me presionin e paligjshëm që po i bëhet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe Prokuroria e Shtetit në lidhje me aktivitetin e prokurimit në lidhje me tenderin për furnizim me insulina.” – ka thënë ai.
Vitia ka treguar për veprimet e OSHP-së dhe Prokurorisë ndaj ministrisë, duke shtuar që kjo luftë po bëhet për të pasur produkte e pajisje medicinale të sigurta.
“OSHP dhe Prokuroria kanë ndërmarr veprime të kordinuara për të bërë presion në Ministrinë e Shëndetësisë që kontrata t’i nënshkruhet një operatori i cili nuk ka as madje as nuk ka aplikuar për autorizim marketing i cili është oblikativ sipas ligjit për produkte dhe pajisje medicionale dhe që është gracionin i cilësisisë sigurisë dhe efikasitetit të barnave,”
“Kjo ka ndodhur përkundër që ne kemi bërë thirrje dhjetëra herë që kompanitë të bëjnë regjistrimin e këtyre barnave.” – ka thënë Vitia.
“Ministria e Shëndetësisë shpreh shqetësimin për presionin nga prokuroria dhe OSHP për nënshkrimit e kontratës nga një operator. Ministria njofton opinionin që të gjitha vendimet i ka kundërshtuar me ushtrimin e padive gjyqësore. Rreziku që i kanoset përdorursve të barnave pa autorizim marketingu, ne nëse lejojmë këto barna, përveç dyshimeve në cilësi, askënd nuk mund ta bëjmë përgjegjës” – ka thënë ndër të tjera ai.
Ndërkohë në mbledhjen e Qeverisë është propozuar për Kuvend që anëtarja e Bordit të OSHP-së, Kimete Gashi të shkarkohet për shkak të tënderit për insulina.
Sulmet tjera
Prokuroria dhe sistemi i drejtësisë tash e sa kohë janë cak i sulmeve të pushtetit.
Ditë më parë, kryeministrit Albin Kurti nga foltorja e Kuvendit, sulmoi kryeprokurorin e shtetit, Blerim Isufajn për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Gjithashtu edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka thënë se Prokuroria është institucion politik.
“Nuk ka interes politik të një institucioni që unë do të thosha është politik, siç është Prokuroria, që të merret me këto raste.” – ka thënë Bislimi.
Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e deputetë të tjerë të Vetëvendosjes, në vazhdimësi drejtojnë sulme ndaj sistemit të drejtësisë dhe punës së tyre.


