Nuk ndalet beteja e Kurtit me prokurorët: I kritikoi natën vonë, Prokuroria Speciale u përgjigj ashpër
Që nga fillimi i mandatit, nëse një gjë nuk ka ndryshuar për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, është beteja e tij me sistemin e drejtësisë.
Herë me gjyqtarë e kryesisht me prokurorë, Kurti nuk i ka ndalur asnjëherë kritikat e as sulmet. Duke nisur nga dekretimi i Blerim Isufajt, te aktakuza për sulmin në Banjskë, e së fundi edhe për hetimin e krimeve të luftës.
Mbrëmë vonë kryeministri Kurti nëpërmjet një postimi në facebook, kritikoi Prokurorinë Speciale për numrin e vogël të aktakuzave për krime të luftës. Madje tha se mund t’i numërosh me gishta të dorës.
“Janë bërë pesë vjet prej kur institucioneve tona të drejtësisë u është mundësuar ndjekja penale dhe gjykimi i kriminelëve të luftës edhe në mungesë të tyre. Pesë vjet nga politika shtetërore që sjellë mundësi më të shpejtë për drejtësi. Pesë vjet nga thirrjet e para për të shfrytëzuar aparaturën shtetërore në dispozicion për të ngritur aktakuza kundër kriminelëve e krimeve të tyre monstruoze kundër popullit tonë. Pesë vjet pa rezultat”, ka shkruar Kurti.
“25 vjet pas luftës, pa drejtësi për viktimat. Prokuroria speciale duhet të jëtë më aktive e efikase që të sjellë kriminelët para drejtësisë. Aktakuzat e ngritura për gjykim në mungesë për krimet e luftës mund të numërohen në gishta”, tha ai.
Sipas kryeministrit, ata kanë rritur edhe buxhetin. Kështu, Kurti bëri thirrje që Prokuroria të veprojë.
“Në përpjekjet tona për drejtësi për viktimat e luftës së viteve 1998-1999, adresimi i krimeve të Serbisë të kryera në Kosovë duhet të jetë prioritet. Nga të gjitha masakrat ka dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat Prokuroria do të duhej t’i kthej në dosje provash për aktakuza për krime lufte. Republikës dhe popullit i duhen prokurorë aktivë e të mençur, dhe gjykatës efikasë e të ditur, të sjellin para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës. Një pjesë e emrave të tyre dihen publikisht e shumë prej tyre njihen nga të mbjetuarit e nga familjarët e viktimave. Andaj, bëjmë thirrje sërish që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë, sepse është koha e fundit të sjellin drejtësi për viktimat e luftës. Qeveria ka rritur buxhetin, andaj bëjmë thirrje që Këshilli Prokurorial urgjentisht të rrisë kapacitetet për adresim të krimeve të luftës”, ka shkruar Kurti.
“Gjykimi e dënimi i kriminelëve të luftës është detyrë e obligim. Për vuajtjet e së kaluarës dhe shpresën për të ardhmen. Për sakrificën e atyre që i humbëm në luftë dhe për brezat që po rriten në liri”, deklaroi kryeministri.
Nuk vonoi shumë e reagimi i Prokurorisë Speciale erdhi. Ata ia përmendën Kurtit që asnjëherë nuk janë respektuar kërkesat e tyre për buxhet.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se në pesë vitet e fundit, që nga koha kur kjo prokurori ka marrë kompetencat për hetimin e krimeve të luftës, ka bërë punë jashtëzakonisht të madhe në bashkëpunim të plotë me institucionet ligj zbatuese. Për më tepër, kjo është bërë me kapacitete të pamjaftueshme të kuadrove, profesionale dhe financiare, si pasojë e buxhetit të pamjaftueshëm. KPK sjell në vëmendje të opinionit publik se në 20 vjetët e fundit, asnjëherë nuk është miratuar kërkesa buxhetore e plotë (në lartësinë 100% të kërkesës)”, u tha në reagimin e tyre.
Sipas Prokurorisë, deklarata e Kurtit është ndërhyrje dhe shkelje e Kushtetutës.
“Prokuroria Speciale potencon fuqishëm se komentet e vazhdueshme të Kryeministrit të Kosovës për punën e Prokurorisë Speciale janë në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe standardeve ndërkombëtare për pavarësinë e Gjyqësorit. Andaj, si të tilla e minojnë besimin e publikut në punën e Prokurorit të Shtetit në përgjithësi dhe të Prokurorisë Speciale në veçanti”, thuhet në reagim.
Prokuroria Speciale ia ka përmendur Kurtit statistikat e aktakuzave. Megjithatë, dolën shumë më shumë sesa kryeministri deklaronte që janë “me gishta të dorës”.
“Përkundër kësaj, me iniciativën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës , Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar Strategjinë e Krimeve të Luftës, mbi bazën e së cilës janë duke u zhvilluar hetimet e krimeve të luftës. Edhe me këto resurse të pamjaftueshme, si ligjore ashtu edhe financiare, njoftojmë opinionin publik se Prokuroria Speciale, aktualisht, ka të regjistruara gjithsej 60 aktakuza për krime të luftës për 56 raste, ndaj 165 personave”, thuhet në reagim.
“Poashtu ju informojmë se ka përfunduar procedura e avancimit të prokurorëve, nga ana e Këshillit Prokurorial dhe duke filluar nga data 1 qershor 2024, në Departamentin për Hetimin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale do të shtohen edhe dy (2) prokurorë, ku numri total i prokurorëve në këtë departament do të jetë pesë (5), të cilët do të merren ekskluzivisht me hetimin e krimeve të luftës”, u theksua më tutje.
Kjo është vetëm një nga shumë betejat publike që pati Kurti me sistemin prokurorial.