Votimi për Kosovën në KiE: Nuk kalojnë amandamentet e Serbisë dhe BeH-së në Komitetin për Politikë - NACIONALE

Votimi për Kosovën në KiE: Nuk kalojnë amandamentet e Serbisë dhe BeH-së në Komitetin për Politikë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në punimet e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës amandamentet e propozuara nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina në kundërshtim të hapur dhe flagrant të raportit rekomandues të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk i kanë mbijetuar votës së anëtarëve.

Edhe dy prej amandameteve të propozuara nga shtatë deputetë italianë dhe një hungarez, siç na është thënë nga brenda takimit, nuk kanë kaluar, megjithëse vërejnë se rrëzimi i tyre nuk është përfundimtar dhe se të njëjtat mund të barten në seancë në rast të arritjes së mbështetjes së edhe dy deputetëve tjerë.

Tetë deputetë propozuan dje rishkrimin e paragrafit të Asociacionit si zotim “pas Asociacionit” si dhe të paragrafit që Kosova pas anëtarësimit të shënohet pa fusnotë; ku ata propozuan që fusnota të hiqet vetëm pas përmbushjes së të gjitha neneve të Marrëveshjes Bruksel/Ohër.

Asambleja Parlamentare sot duke nisur nga ora 16:00 e pasdites e hedh në votim raportin e Dora Bakoyanis e cila rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE; proces i cili nëse kalon atëherë bartet për votë finale në Këshillin e Ministrave të vendeve anëtare diku në mes të majit.

Në nivel të Këshillit të Ministrave kusht i patejkalueshëm del të jetë "progres i prekshëm" drejt themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, çka është kuptuar të jetë kushtëzim me miratimin e draft-Statutit të Asociacionit dhe dërgimit të saj për rishikim kushtetues deri para vendimit final të vendeve anëtare në nivel ministrash të jashtëm.

Lajmi në përditësim...

Lajme të ngjashme