“Nuk financohemi nga qarqet e afërta me Kurtin”: Bogdanoviq flet për partinë e re të tij që do të promovojë njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi
Absolutisht të pavërteta i quan politikani serb Boban Bogdanoviq informacionet se partinë e re politike që ai po e formon – parti kjo në bërje e serbëve që e njohin në plotni shtetin e Kosovës, e që madje edhe do ta promovojnë Republikën e Kosovës – po e financojnë biznesmenë kosovarë të afërt me qeverinë kosovare të udhëhequr nga Albin Kurti. “Informata të rreme”, thotë ai, që origjinën ua atribuon Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe shefit të BIA-s famëkeqe, Aleksandar Vulinit.
Në një bisedë me Nacionalen, Boban Bogdanoviq, garanton se për formimin e partisë së tij, që për synim ka “ripajtimin historik” mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, në shtetin sovran të Republikës së Kosovës, “gjithçka (financiarisht) sigurohet nga unë dhe partnerëve biznesorë të themeluesve të partisë, por edhe të donatorëve nga jashtë...”.
“Aleksandar Vuçiq dhe Aleksandar Vulin, do të bëjnë ç’mos për të parandaluar formimin e Lëvizjes Euro-Atlantike në Republikën e Kosovës dhe në Serbi. Me ndihmën e aleatëve të tyre politikë nga rangjet shqiptare si dhe shërbimeve kriminale të inteligjencës që operojnë në Republikën e Kosovës, informacione të rreme u shpërndanë se lëvizja jonë po financohet nga qarqe të afërta me Kryeministrin Kurti, si dhe biznesmenë kosovarë”, na thotë Bogdanoviq.
Të vetmet informacione të sakta, thotë ai, “janë ato se unë dua të bisedojë me çdo politikan në Kosovë dhe dua bashkëpunim me çdo kënd që ndan vlera Euro-Atlantike”.
“Të gjitha gjërat e domosdoshme për themelimin e partisë Euro-Atlantike sigurohet nga unë, themeluesit e partisë si dhe donatorë nga jashtë, që duan të ndihmojnë në ripajtimin historik mes serbëve dhe shqiptarëve, si dhe paqen përfundimtare dhe prosperitetin të Republikës së Serbisë, Republikës së Kosovës por edhe mbarë rajonit. Të bashkuar në shumëllojshmëri, shqiptarët dhe serbët do të ndërtojnë të ardhme të mirë”, na thotë politikani serb.
Boban Bogdanoviq, që njëherit është edhe prej të rrallëve që mëvetësinë e shtetit kosovar, jo që e njeh, por edhe e proklamon në baza ditore, na thotë edhe se “janë një numër i madh serbësh” që Kosovën e pranojnë si shtet të tyrin.
“Falë meje edhe kolegëve të mi në Kosovë, ne ua lehtësuam frikën serbëve që duan të bashkëjetojnë me shqiptarët dhe të integruar në shoqërinë kosovare”.
“Në 18 muajt e fundit, arritëm të mbledhim një numër të respektueshëm anëtarësh të ardhshëm të partisë sonë politike në Serbi dhe ata do të kundërshtojnë fuqishëm dhe me guxim ndikimin malinj të Aleksandar Vuçiqit dhe Listës Serbe, e cila është krahu politik kriminel-terrorist. klani i Milan Radoiçiqit dhe Zvonk Veselinoviqit. Vlerat euroatlantike me të cilat serbët e Kosovës do të kundërshtojnë çdo ndikim politik që do të imponohet nga Beogradi deri në njohjen përfundimtare të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, jam i sigurt se do të mbështeten nga institucionet e Republikës së Kosovës, tërë bashkësia kombëtare dhe ndërkombëtare. Kryesor do të jetë roli i të gjitha partive parlamentare dhe joparlamentare në Serbi, me të cilat do të bashkëpunojmë pa përjashtim”, shton ai.
Bogdanoviq as që e vë në diskutim shtetin kosovar, teksa na thotë që edhe Serbia vetvetiu e ka pranuar atë qysh më 2013 me Marrëveshjen e Brukselit, e që madje tërë këtë çështje e sheh të zgjidshme në vitin 2024. Vetëm Vuçiqi, thotë ai, “duhet të shkojë në shportën e bërllogut të historisë”, për të ardhur, siç thotë ai, “epoka e re e historisë”.
Pyetur se a e ka mbështetjen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ai thotë se këtë “nuk e di” dhe se duhet pyetur atë, por se është i bindur se “ai ndan të njëjtat mendime”. Për partinë e tij politike, ai thotë se do të bashkëpunojnë me të gjithë që ndajnë vlerat euro-atlantike.
“Armiqësia mes dy popujve tanë është e pranishme sepse ne nuk kemi bërë aq sa duhet së bashku për të ndjekur rrugën e pajtimit. Politika e Aleksandër Vuçiqit shkakton shumë probleme për të gjithë ne në rajon, veçanërisht në Kosovë ku është më e theksuar. Unë nuk kam një formulë magjike për t'i pajtuar përgjithmonë dy popujt tanë brenda natës, por kam energji të mjaftueshme për të punuar ditë e natë për atë pajtim së bashku me kolegët e mi shqiptarë. Është një proces që do të zgjasë, por është aq i gjatë sa këto kohë të liga që shënuan vuajtjet e popullit shqiptar në Kosovë dhe pozitën e vështirë në të cilën ndodhet komuniteti serb aktualisht për arsye të njohura për të gjithë ne”, ka thënë ai.