Nuk e transmetoi seancën e Kuvendit në kanalin kryesor, opozita i shkon në derë RTK-së: Demokracia nuk duhet të mbytet
Opozita e ka kritikuar ashpër Radion Televizionin e Kosovës. Kjo pasi RTK-ja nuk e transmetoi sot seancën e jashtëzakonshme ku është folur për aferën e ambalazhuesve të ujit, të cilin e kishte thirrur opozita.
Në një konferencë për media, para RTK-së, deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë thënë se kjo flet për ndikimin e pushtetit mbi RTK-në.
Në fakt, deputetët opozitarë kishin për qëllim të futeshin brenda në televizion, por sigurimi ua kishte mbyllur derën e oborrit të RTK-së.
Ata kanë kërkuar llogari nga drejtuesit e televizionit se pse nuk është transmetuar seanca e sotme në kanalin kryesor RTK!.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se niveli ku ka arritur RTK-ja është i frikshëm.
“Tashmë aty ku ka arritur RTK-ja është jashtëzakonisht e frikshme. Para një periudhe disamujore u përballëm edhe me cenim të jetës së disa gazetarëve nga dy mediume shumë të respektuara në vendin tonë. Sot, kur në Kuvendin e Kosovës duhej të shpërfaqej një aferë e cila kap keqpërdorime rreth 20 milionë euro, në këto momente RTK-ja, qoftë drejtori gjeneral, Dejona apo kushdo tjetër, vendosi atë që s’kishte ndodhur më parë. E zhvendosi seancën e Kuvendit të Kosovës në një program periferik, e duke mos e transmetuar në program qendror. Është e papranueshme kjo”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, kapelat e zeza të Dejona Mihalit nuk e kanë edhe shumë gjatë.
“Pasi pikërisht sot qytetarët e Kosovës duhet të dëgjonin se si vidhen nga kapelat e zeza 20 milionë euro përmes ujit të pijshëm të vendit tonë. Kapelat e zeza të Dejonës sot në RTK mundem me mbyllë derën, edhe pak, por jo edhe gjatë. Sot çdo qytetar i vendit tonë e sheh abuzimin e tyre, e ndien abuzimin e tyre”, tha Tahiri. “I bëjë thirrje ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së dhe anëtarëve të bordit të japin dorëheqje nga këto pozita. Ata s’mund të jenë drejtues të RTK-së. S’mund të udhëheqin me RTK-në, e mbysin fjalën e lirë, e mbysin zërin opozitar”, është shprehur ai.
Edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka drejtuar kritika ndaj Radio Televizionit të Kosovës, i cili seancën e sotme nuk e ka transmetuar në kanalin kryesor.
Ai ka thënë se mostranspemtimi i seancës është mbytje e zërit të deputetit dhe qytetarit.
“Seanca sot nuk u transmetuar në kanalin zyrtar të Radio Televizionit të Kosovës që nënkupton mbytje e zërit të deputetit, fshehje nga vërtetës që po ndodhin në skandalet të shpërfaqura çdo ditë për afera korruptive. Kjo do të thotë se mbytet edhe zëri i qytetarit përmes përfaqësimit që e kanë dërguar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka kërkuar nga punëtoret e RTK-së që të mos i nënshtrohen presionit të pushtetit.
“Ky reagim i joni është thirrje për qytetarët e Kosovës, është thirrje për punëtorët që janë pas nesh dhe është thirrje edhe për ata pak moral ju ka mbetur në sedrën e tyre, që të kjo nuk duhet të lejohet, kjo duhet të parandalohet dhe demokracia në vend nuk duhet të mbytet”, ka thënë Zemaj.
Kritika ndaj RTK-së ka qenë edhe Shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri.
Ai ka thënë se RTK-ja është themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe e ka obligim transmetimin e seancave.
“Institucioni që po shihet mbrapa, është RTK. I themeluar nga Kuvendi i Kosovës, dhe ky institucion u jep llogari deputetëve të Kuvendit. Seancat parlamentare janë detyrë, obligim ligjor e kushtetutes të cilat duhet t’i përmbush ky institucion, ti transmetojë mesazhet e përfaqësuesve të popullit”, ka thënë Tahiri.
Tutje, ai ka thënë se derisa në seancë po trajtohej një “superskandal” i qeverisë, seanca u ndalë për fjalimin e Kurtit në një konferencë.
“Fakti që në një seancë ku po trajtohet një super skandal i kësaj qeverie ndalet për fjalimin e kryeministrit në një konferencë, tregon saktë, drejt e shpërftyron regjimin e Kurtit se dojnë me ndalë fjalën, debatin, argumentin, dhe ashtu si kanë ardhë më mashtrin, të mashtrojnë popullin, të fshehin për të bëmat e tyre, që po i japing jo vetëm hije të keqe vendit”.
Tahiri bëri thirrje që të jipet llogari në lidhje me këtë dhe të tregohet se pse u ndalë transmetimi drejtpërdrejtë.
“Tu shku Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme, me ndalë dikush, kush e ka ndalë, kush është ai njeri që ka thënë me ndalë fjalimin e deputetëve. Nuk ka faj ky zotëria se e ka vend pune, po duhet të japë llogari ai urdhëruesi që po na ngon në televizor, e që ish dalë me tregu këtu pse e kanë ndalë transmetimin drejtpërdrejt”, ka thënë ai.
“Kjo nuk ka tjetër emër, përveç tendencë me mbytë fjalën e lirë, dhe me e ndalë porosinë e cila është e drejtpërdrejtë e saktë dhe e qartë se këtu ka të bëjë me një qeveri që e ktheu Kosovën mbrapa dhe po mundohet ta shti regjimin parapolitik”, është shprehur Tahiri.