Nuk e di, nuk e di, nuk e di: Padija 'monumentale' që e dëshmoi mbrëmë zv. ministri Sallahu për rastin Dehari - NACIONALE

Nuk e di, nuk e di, nuk e di: Padija 'monumentale' që e dëshmoi mbrëmë zv. ministri Sallahu për rastin Dehari

1 vit më parë

nga NACIONALE

Blerim Sallahu, zv. ministër, ishte i ftuar mbrëmë në emisionin Debat Plus ku pati një paraqitje skandaloze. Çka tha e çka nuk tha Sallahu?

Atij i është bërë e famshme një alegori që tregon shpejtësinë e kryerjes së punëve në ministrinë e Drejtësisë. “Si vaji në tepsi,” – thoshte ajo. Por, paraqitja e djeshme televizive ishte edhe më absurde duke ngritur pikëpyetje të shumta mbi atë se kush po udhëheq drejtësinë kosovare.

Kush e drejton Institutin?

Sallahu në intervistën e mbrëmshme ishte i rrëmujshëm dhe... i padijshëm. Me gojë të tij pranoi se nuk dinte gjëra mjaft të rëndësishme, siç ishte edhe ajo se kush e udhëhiqte institutin ku u zhdukën provat tash.

“Ëëë, sot udhëheqës me sa e di une, tash nëse po m’kujtohet, dorën n’zemër, tash po marr informacione se nuk e di...” – u shpreh Sallahu kur u pyet se kush ishte drejtues.

Që ta sqarojmë për lexuesit. Blerim Sallahu është zëvendësministër. Pra, është njeriu i dytë në Ministrinë e Drejtësisë, nën ombrellën e të cilës është Instituti Mjeko-Ligjor. Drejtuesi i këtij instituti i raporton Ministrisë, pra edhe z. Sallahu. Por, Sallahu nuk e dinte identitetin e këtij drejtuesi të ri.

Këtë padije monumentale e bën edhe më serioze pikërisht zhdukja e provave. Provat u zhdukën pikërisht në këtë institut, drejtuesi i të cilit nuk njihej nga z. Sallahu.

Raporti i parë

Fjalën e tij në emision, zv. ministri e nisi me fjalë shumë të forta. Sipas tij, raporti i parë i bërë nga Instituti zviceran që ishte marrë me rastin kishte thënë se “Astrit Dehari ishte vrarë!” Në fakt, një gjë e tillë ishte shumë larg të vërtetës, dhe kjo gjë u ekspozua edhe gjatë emisionit nga panelistët.

“...raporti i parë tregon që një person i tretë e ka vra Astrit Deharin në burg!” – u shpreh z. Sallahu.

Ai më pas ‘u zbut’ në qëndrimet e tij, praktikisht duke e pranuar se pretendimi i tij nuk thuhej fare në raport. Aty thuhej se nuk përjashtohej mundësia që të ishte një palë e tretë, që potencialisht mund të kishte shkaktuar vdekjen e aktivistit të VV-së.

“Instituti e ka thënë që ka qenë një person prezent brenda burgut ku cilësohet se është vrarë nga ai person ose ka ndërhyrë në vrasjen e Astrit Deharit...” – vazhdoi Sallahu, duke e përsëritur disa herë se “mospërjashtimi i mundësisë” nënkuptonte se “personi ishte prezent”.

Goga

Pse nuk u pezullua Flutura Goga-Bajrami, drejtoresha e Institutit Mjeko-Ligjor? Ai provoi për disa minuta t’i shmangej pyetjes, kur më në fund u shpreh: “Po, ka pasë të drejtë me shkarku, por meqë komisioni e ka pezullu e kemi pasë të arsyeshme mos me e shkarku!”

Mos të harrojmë, Flutura Goga-Bajrami ishte dhe mbetet drejtuese e Laboratorit të Toksikologjisë. Në këtë Laborator të Toksikologjisë, që ndodhet brenda Institutit, ndodheshin provat e rastit Dehari që u zhdukën. Goga, bashkë me dy persona tjerë – siç e konfirmoi edhe vet zv. ministri, ishin të dyshuar për rastin pasi vetëm këta tre i kishin çelësat e laboratorit në fjalë.

Sallahu shprehu edhe të tjera mungesa të dijes, përkundër pozicionit që kishte. Ai e tha me gojën e tij se nuk e dinte se në cilën orë ishte prerë videoja e burgut ku ndodhej Astrit Dehari. Nuk e dinte që Sylë Hoxha, prokurori i rastit, kishte thënë për Astrit Deharin se “dyshonte që ishte vetëvrasje”.

Videoja e plotë:

Lajme të ngjashme