Nuk "çelet" Lajçak, s'flet për dialogun as pas takimit me këshilltarin e Macronit
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak dhe Emmanuel Bonne, këshilltari kryesor diplomatik i presidentit francez, Emmanuel Macron janë takuar sot, ku mes tjerash, kanë biseduar për vizitat që patën në Prishtinë e Beograd. Megjithatë, as pas këtij takimi nuk ka shumë detaje për kërkesat e tyre.
Lajçak përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka deklaruar se kanë biseduar lidhur me hapat e ardhshëm në dialogun mes dy vendeve.
“Shumë i lumtur që u takova me Emmanuel Bonne, këshilltarin kryesor diplomatik të Presidentit Macron, sot në Paris. Ne folëm për vizitën tonë të fundit në Prishtinë dhe Beograd, si dhe për zhvillimet aktuale dhe hapat e ardhshëm. Faleminderit Francës për mbështetjen e fortë në punën time”, tha Lajçak.
Very glad to meet with Emmanuel Bonne, Chief diplomatic adviser of 🇫🇷President Macron, in Paris today. We spoke about our recent visit to Pristina and Belgrade, as well as current developments and next steps. Grateful for 🇫🇷 strong support to my work. pic.twitter.com/7RMZWXVO0A
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) September 13, 2022
Sërish fjalëpak
Lajçak ka treguar shumë pak, për të mos thënë asgjë, në lidhje me vizitat e zhvilluara javën e kaluar në Kosovë e Serbi, ku përveç Bonne, me të i pranishëm ishte edhe Jens Plotner, këshilltar i kancelarit gjerman Emmanuel Macron.
Emisarët zhvilluan takime të gjata, mbi dy orëshe, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e më pas në Beograd, me presidentin Aleksandër Vuçiq.
Lajçak para mediave, deklaroi se diskutimi ishte i rëndësishëm dhe se çështja kryesore që u fol, ishte procesi i dialogut.
“Sapo përfunduam një takim më shumë se dy orësh me zotëri Kurtin me të cilin diskutuam për dialog dhe si të sjellim dinamikë në proces dhe me qu procesin përpara”, ka thënë Lajçak.
Edhe pas kësaj, Lajçak refuzoi të japë më shumë detaje rreth asaj që mund të jetë diskutuar.
“Ishte një diskutim i thellë dhe i rëndësishëm. Besoj e kuptoni se nuk mund të japim detaje, sepse do të kemi diskutim të njëjtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Lajçak.
Ndërkaq, përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit kishte bërë të ditur se shefi i ekzekutivit ka përmendur qëllimet e dialogut të Brukselit.
“U theksua se Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë. Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër”, është thënë në komunikatë.
Ndërkaq, edhe pse janë bërë një javë nga takimet, kryeministri Albin Kurti ende nuk ka treguar se çfarë u diskutua gjatë kësaj vizite.
Kurti sot refuzoi të flasë para gazetarëve, kur doli në një konferencë për media pas takimit me sidikalistët. Ai u arsyetua se do të udhëtojë për në Tiranë urgjent.
Angazhimi i Francës dhe Gjermanisë
Para disa ditësh, u konfirmua se Franca dhe Gjermania do të fokusohen më shumë te dialogu Kosovë-Serbi, me kancelarin Scholz e presidentin Macron, të cilën angazhuan në këtë çështje këshilltarët kryesorë të tyre.
Nga Qeveria Gjermane, për Nacionalen të enjten konfirmuan se ky angazhim “i fuqishën”, vjen pas tensioneve të fundit në veri të vendit.
“Në dritën e tensioneve të fundit, ata caktuan këshilltarët e tyre për politikën e jashtme, z. Jens Ploetner dhe z. Emmanuel Bonne, që të mbështesin drejtpërdrejt Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij”, ka thënë tutje ai.
Sa i përket letrës së përbashkët të Scholz dhe Macron, dërguar kryeministrit Kurti, ku këshillohej që të bëhej gati për “vendime të vështira”, Zyra për Media e Qeverisë Gjermane i tha Nacionales se nuk ka mundësi që të japë detaje, pasi që “nuk janë të synuara për publikun”.


