As analistët, as politikanët: Bislimi e Gërvalla s’flasin për draft-statutin e Asocacionit, përmendet "industria e thashethemeve” - NACIONALE

As analistët, as politikanët: Bislimi e Gërvalla s’flasin për draft-statutin e Asocacionit, përmendet "industria e thashethemeve”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës vazhdon të shfaqet e pasigurtë në publik lidhur me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është shprehur e gatshëm ta pranojë në takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel. Duke qenë se akoma nuk është bërë publik draft-statuti i propozuar nga perëndimorët, zyrtarët e Qeverisë po tentojnë t’a neutralizojnë çdo diskutim për përmbajtjen e këtyre draftëve që tashmë janë publikuar në media. Një gjë të tillë e kanë bërë sot vartësit e kryeministrit Kurti, Besnik Bislimi, zëvëndëskryeministër i parë dhe Donika Gërvalla, ministre e Jashtme. Si i komentuan draft-statutet e Asociacionit “nënkokat e Kurtit”?

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diaspores, është pyetur rreth draft-statuteve të Asociacionit që janë publikuar në medie gjatë javës së fundit.

Zonja Gërvalla ka theksuar se ajo nuk ka publikuar asnjë draft-statut të Asociacionit. Tutje, Gërvalla vlerësoi se ajo nuk është “përgjegjëse për industrinë e thashetheveme”.

“Unë si Ministri e Punëve të Jashtme nuk kam publikuar asnjë draft dhe unë nuk jam përgjegjëse për industrinë e thashethemeve se çfarë apo nuk ndodh.” – tha ajo, transmeton Ekonomia Online.

Edhe, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, është përgjigjur shkurtimisht në lidhje me çështjen e draftit të statutit të Asociacionit, që u publikua javën që shkoi nga Burim Ramadani, ish-kryeinspektor i AKI-së.

Në komentin e tij, Bislimi theksoi se Gjykata Kushtetuese do të analizojë kushtetushmërinë e Asociacionit dhe jo analistët nëpër studio.

Shqetësimet janë të individëve, të atyre që shpërndajnë drafte. Ne nuk punojmë me shqetësime, ne punojmë me analiza. Dhe për më tepër kushtetushmërinë e draftit të dërguar nga miqtë tanë ndërkombëtarë, e vërteton Gjykata Kushtetuese. As analistët nëpër studio, as politikanët. Janë njerëzit që marrin pagë mujore për me vlerësu kushtetushmërinë e dokumenteve të cilat u dërgohen atyre.” – deklaroi Bislimi gjatë një prononcimi të shkurtër për medie.

Takimi i Brukselit

Kosova dhe Serbia dje në Bruksel zhvilluan diskutime për zbatimin e Marrëveshjes Themelore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Emisari special i BE-së Miroslav Lajçak zhvilloi takime të ndara me delegacionin e Kosovës të udhëhequr nga nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe me atë serb, të drejtuar nga kryenegociatori Petar Petkoviq.

Pas takimit, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi me emisarin Lajçak, tha se nuk është diskutuar për Asociacionin e komunave serbe.

Në agjendë ka qenë si pikë mirëpo ne vetëm i kemi treguar zotit Lajçak që ne kemi një pozicion të qartë të artikuluar me 26 tetor në takimin që zoti Kurti kishte me udhëheqësit Evropian, që ne jemi të gatshëm ta pranojmë dokumentin në plotëni, të nënshkruar së bashku me dy dokumentat tjera të rëndësishme, marrëveshjen bazike dhe aneksin implementues. Nuk kemi pasur nevojë për sqarime shtesë nga ana e Bashkimit Evropian, prandaj edhe nuk kemi diskutuar”, tha ai.

Tutje, Bislimi tha se draft-statuti i propozuar nga ShBA dhe BE është hartuar duke patur kujdes për kushtetutshmërinë e vendit. Dhe theksoi se Asociacioni nuk mund të nisë të zbatohet pa nënshkrim të marrëveshjeve.

Jo nuk mund të nisë për arsye se duhet garanca që kemi një marrëveshje valide e cila pastaj krijon obligime edhe për palën tjetër”, tha ai.

Ndërsa, kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviq tha se në takim me emsiarin Lajçak është diskutuar draft- statuti i Asociacionit që sipas tij është edhe hapi i parë drejt formimit të tij.

“Folën qartë për aspektet e draft-Statutit e në veçanti për fuqitë/pushtetet ekzekutive të Asociacionit – planifikimin hapësinor, shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik dhe gjënë më të rëndësishme – financimin e tij nga Beogradi”.

(...)sepse Asociacioni është një dokument ekstremisht i rëndësishëm për neve dhe ne përkujdesemi për secilën shkronjë të saj, sepse duhet të përfaqësojë tamam kurrizin e Asociacionit sipas marrëveshjeve të 2013 dhe 2015”, ka thënë Petar Petkoviq.

Lajme të ngjashme