Njerëzit me maska në Leposaviq lënduan dy kameramanë: Gazetarët kërkojnë mbrojtje
Gazetarët e Kosovës sot kanë përjetuar nder sulmet më të tmerrshme nga bandat kriminale serbe, prej së është tensionuar situata në veri.
Derisa raportonin për vizitën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në komunën e Leposaviqit, ekipe e medieve nga Prishtina janë sulmuar fizikisht nga njerëz me maska.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se nga ky sulm brutal janë lënduar dy kameraman.
“Lëndime trupore, krahas kameramanit të RTK-së, Bardh Bekteshi, ka marrë edhe kolegu nga Tëvë1, Albin Rrahmani. Redaksia ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se Rrahmani ka marrë lëndime në këmbë, teksa fatmirësisht pjesa tjetër e ekipit të këtij mediumi, kanë shpëtuar pa u sulmuar”, është thënë në njoftimin e AGK-së.
Në reagim, AGK-ja ka treguar se sot ata nuk janë mbrojtur as nga KFOR-i.
Ata kanë kërkuar që të u ofrohet siguri në punën e tyre.
“Sulmi brutal i sotëm ndaj gazetarëve dhe kameramanëve në Leposaviq është krejtësisht i papranueshëm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, dhe i ftojmë organet kompetente të Republikës së Kosovës që të trajtojnë rastin me prioritet në mënyrë që sulmuesit e kolegëve tanë të arrestohen sa më parë. Njëherësh, duke qenë që i gjithë sulmi ka ndodhur në prani të trupave të KFOR’it, dhe të njëjtit nuk kanë reaguar, por i kanë penguar gazetarët të ikin, kërkojmë nga NATO Kosovo Force - KFOR që të mos i pengojnë gazetarët në raportim, meqë siguri nuk po ju ofrojnë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do t’i njoftojë të gjithë akterët relevantë kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me rastin”, është thënë në njoftimin e AGK-së.
Ndaj sulmit ka reaguar edhe juristja e medias, Flutura Kusari.
Ajo ka thënë se Policia e Kosovës nuk ka ofruar asnjë masë të sigurisë për gazetarët.
“Ministria e Puneve te Brendshme dhe Policia e Kosoves nuk kane ndermarre asnje mase per mbrojtjen e gazetareve. Asnje mase. Ende nuk eshte vone qe: 1) te behet protokolli per sigurine e gazetareve 2) te formohet nje task force e perkohshme per sigurine e gazetareve 3) te orgabizohen takime ditore me perfaqesesit e mediave qe dergojne ekipe ne zona me tension te larte per te caktuar permiterin e siguris. Nuk duhet te pritet vrasja e gazetareve dhe punetoreve tjere te mediave per te vepruar”, ka shkruar Kusari.
Konjufca: Kosova s`do të tolerojë provokime të tilla
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka dënuar ashpër sulmonin e njerëzve me maska ndaj gazetarëve sot në Leposaviq.
Ai ka bërë me dije se kjo tregon se Beogradi nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës.
Kryeparlamentari i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që ta shtojë presionin mbi Serbinë, duke thënë se Kosova nuk do t'i tolerojë provokime të tilla.
“E dënoj ashpër këtë sulm mbi gazetarët dhe kërkoj që kriminelet të vihen para drejtësisë. I bëjmë thirrje edhe një herë faktorit ndërkombëtar që ta shtojë presionin mbi Serbinë, si shkaktare të këtyre tensioneve, sepse s'mund të ketë qetësi dhe stabilitet nëse bandat vazhdojnë të ushtrojnë dhunë dhe terror mbi popullsinë e këtyre komunave, gazetarët dhe forcat e rendit. Kosova nuk do t'i tolerojë provokime të tilla, por as faktori ndërkombëtar nuk duhet t'i kalojë pa ndëshkim interferime të tilla të Serbisë në stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës”, ka shkruar Konjufca.
Sipas tij, Serbia dëshiron që në cdo kusht ta destabilizpoj këtë pjesë të Kosovës.
“Duke vazhduar t'i mbajë të aktivizuara grupet kriminale dhe sulmuesit e maskuar në katër komunat veriore të Kosovës, Serbia dëshiron me çdo kusht ta përshkallëzojë dhe ta destabilizojë gjendjen e sigurisë në Kosovë. Që nga pengimi i të drejtës ligjore të kryetarëve të zgjedhur të komunave për ta ushtruar detyrën në institucionet komunale përmes sulmesh të dhunshme e me armë zjarri kundrejt policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it, sulmeve ndaj gazetarëve e deri tek rrëmbimi i tre policëve kufitarë nga ushtria serbe brenda territorit të Kosovës, Serbia po dëshmon se dëshiron patjetër tension dhe konflikt në Kosovë, saktësisht të kundërtën e asaj që po kërkon bashkësia ndërkombëtare”, ka shkruar ai.