Një vajzë e vogël dhe babai i saj shpëtohen nga rrënojat në Antakia
Ekipet emergjente, që punuan gjatë natës në qytetin Antakia, nxorën një vajzë të vogël nga rrënojat e një ndërtese të shembur, ndërsa babanë e saj e shpëtuan pas dy orëve.
Përderisa punëtorët po përgatiteshin që ta fusnin burrin e shpëtuar në një autoambulancë, ekipet e shpëtimit i treguan se vajzën e ka gjallë dhe se ata po e dërgonin në të njëjtin spital të hapur për trajtim.
“Ju dua të gjithëve”- pëshpëriti ai i lodhur para ekipit të emergjencës.
Në Diarbakir, në lindje të Antakias, ekipet e shpëtimit shpëtuan një grua nga një ndërtesë e shembur në orët e para të mëngjesit, por gjetën tre persona të vdekur pranë saj.
Dhjetëra mijëra njerëz kanë mbetur pa shtëpi. Në Antakia, ish-banorët e një ndërtese të shembur iu afruan një zjarri gjatë natës të enjten, duke u mbështjellë fort me batanije për ta luftuar acarin.
Serap Arslan, 45 vjeçe, tha se shumë njerëz kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja afër ndërtesës, përfshirë nënën dhe vëllanë e saj. Ajo tha se me makineri të rëndë ka filluar që të largohet një pjesë e betonit të rëndë të mërkurën.
“U munduam që t’i largonim mbetjet vetë, por fatkeqësisht, përpjekjet tona kanë qenë të pamjaftueshme”- shtoi ajo.
Zonja Selen Ekimen i fshiu lotët nga fytyra me doreza në duar, duke thënë se prindërit dhe vëllai i saj janë ende nën rrënoja. “Nuk ka pasur zë prej tyre me ditë. Asgjë”- tha ajo.
