"Një strukturë kriminale parapolitike e VV-së": LDK-ja kërkon hetim për Dejona Mihalin
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe anëtarë të lartë të kësaj partie kanë reaguar pas raportimeve të Nacionales për bisedat e koordinatorës së Vetëvendosjes, Dejona Mihali me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi. LDK ka kërkuar hetim për këto afera korruptive dhe përfshirjen e strukturave të VV-së në to.
LDK përmes një reagimi ka thënë në vazhdimësi kanë folur për strukturën kriminale parapolitike të Vetëvendosjes në aktivitete kriminale, punësime të pa ligjshme dhe tenderët sekretë.
“LDK-ja në vazhdimësi ka folur për ekzistencën e një strukture kriminale parapolitike të partisë në pushtet, që nëpërmjet një skeme shumë mirë të organizuar e të kontrolluar deri në detaje - nga menaxhimet e komunikimeve ditore, tek oraret e reduktimeve të energjisë elektrike për qytetarët; nga punësimet e paligjshme, deri tek 150 tenderët sekretë - ka organizuar një skemë kriminale pa frikën e përgjegjësisë dhe pa brengën e llogaridhënies.”
“LDK-ja do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat institucionalë, ligjorë e kushtetues për të zbardhur deri në fund të gjitha rastet e krimit, të korrupsionit dhe të keqpërdorimeve. Njëkohësisht, LDK-ja i bën thirrje organeve të drejtësisë për hetim të menjëhershëm, që personat dhe struktura kriminale përgjegjëse të dalin para drejtësisë.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e LDK-së.
Ndërkohë, llogari ka kërkuar edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se përmes Dejona Mihalit, kryeministri Kurti po i bën punët jo ligjore.
“A e dini pse nuk e ka bërë, SEPSE ajo çka ka bërë Dejona e nëntokës që katër vite është e gjitha joligjore, e Albini ka dashtë që përmes Dejonës të bëhen këto punë joligjore me shpresë që nuk kanë me u zënë kurrë. Andaj Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje Prokurorisë e Hetuesisë që të zbardhë secilin koordinim të Qeverisë së Republikës së Kosovës me zyrën parapolitike të LVV-së dhe koston që kanë pagu qytetarët nga ky koordinim.” – ka shkruar ajo në Facebook.
Edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, ka reaguar për këtë aferë, duke thënë se “po kompletohet mozaiku i mafisë energjetike.”
“Si pasojë e veprimeve të mafisë energjetikes (Albin, Dejona, Martin, Nagip, etj), sot paguajmë dyfish çmimin e energjisë elektrike. Sa kat Dubrava?” – ka shkruar ai.
Edhe anëtarë të tjerë të LDK-së kanë kërkuar hetime për përfshirjen e Mihalit në aferat korruptive në rastin me energjinë elektrike.
Në anën tjerër, Nacionale publikoi bisedat e Mihalit me Krasniqin, ku Dejona Mihali ofendote rëndë LDK-në.
“Merre me mend, i bënë konferencat pastaj kërkojnë takim. Këta janë më horra se Isa Mustafa”, i kishte shkruar Mihali ish-kryeshefit të KEK-ut.
“Unë po mendoj mos t’i përgjigjem njëherë”, ia kthen Nagip Krasniqi.
“Leje të premten pasdite”, ia kthen Dejona Mihali.
Në një tjetër mesazh më poshtë, ajo i kërkon Krasniqit të ketë kujdes, pasi ‘ata janë të pabesë’.
“Edhe kujdes me ta se janë të pabesë dhe do t’i shtrembërojnë çkado që flet”, i shkruan Mihalit-Krasniqit për zyrtarët e LDK-së.
Gjithashtu, Nacionale ka publikuar edhe komunikime të tjera të Mihalit me Krasniqin, ku shihet se Krasniqi nuk bën asgjë pa u konsultuar me Dejona Mihalit.
Mihali me një rast i kërkon Krasniqit që të mos ketë ndërprerje të energjisë elektrike si dhe ia konfirmon komunikatat që duhet t’i publikojë KEK-u.