Një Strugë me dy konsullata shqiptare
Ishte folur prej vitesh për nevojën e zgjerimit të rrjetit diplomatik të Shqipërisë e Kosovës në Maqedoninë e Veriut. Nga e marta është zyrtarizuar Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Strugë, e cila do të mbulojë pjesën juglindore shqiptare në Maqedoni. Në qytetin buzëliqenor funksionon nga viti 2019 edhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, ashtu sikurse edhe në Manastir është një Konsullatë Nderi e Republikës së Shqipërisë.
8 korrik 2025 – Me një ceremoni solemne sot është shënuar hapja
zyrtare e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Strugë.
Me pritjet që kjo konsullatë të bëhet hallkë lidhje midis dy vendeve, të pranishëm në hapje ishin ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, homologu i tij nga Maqedonia e Veriut Timço Mucunski, ashtu sikundër edhe përfaqësues të institucionale lokale.
Në fjalën e tij, kryediplomati shqiptar Hasani vlerësoi se konsullata do t’i bëjë më të qasshme dhe do t’i lehtësojë procedurat dhe shërbimet për qytetarët.
“Kjo zyrë është një mjet i drejtpërdrejtë për të qenë më pranë qytetarëve tanë dhe për të ndërtuar bashkëpunim praktik në fusha me interes të ndërsjellë,” ka thënë ai.
Sipas tij, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë ndërtuar mbi një themel të fortë miqësie e bashkëpunimi të ndërsjellë.
“Hapja e kësaj konsullate që do të shtrihet përtej kufijve të këtij qyteti, duke përfshirë një zonë shumë të madhe, është një hap i natyrshëm drejt rritjes së qasjes, shërbimit dhe ndërlidhjes së bashkësive shqptare me shtetin amë,” ka shtuar Hasani.
Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Mucunski vlerësoi se rruga e bashkëpunimit dhe dialogut është mënyra e vetme dhe më e mira për përparimin e gjithë rajonit.
“Shqipëria është fqinji ynë, partner rajonal në NATO dhe aleat. Hapja e kësaj Konsullate është edhe një hallkë me vlerë në fotografinë e pasur të mozaikut në marrëdhëniet të shkëlqyera për të cilat kujdesemi tash e një kohë të gjatë,” ka thënë ai.
Ministrat Hasani dhe Mucunski zhvilluan edhe një takim dypalësh gjatë të cilit u fol mbi bashkëpunimin rajonal, proceset e integrimit, si dhe zhvillimet e fundit në Evropën Juglindore.
Kjo konsullatë do të mbulojë Strugën, Ohrin, Manastirin, Kërçovën, Dibrën, Gjevgjelinë dhe Resnjën. Petrit Musaj është konsulli i Republikës së Shqipërisë në Strugë.
Mexhiti: “Adresë konkrete për çdo shqiptar”
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti e ka vlerësuar hapjen e Konsullatës së Përgjithshme nԯ Strugë si moment i ri në marrëdhëniet dypalëshe.
“Struga, qytet i bukur me rrënjë të thella historike e kulturore, vend i bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, sot mori një rol të ri, u bë portë diplomatike shqiptare në perëndim të Maqedonisë së Veriut,” ka shkruar Mexhiti.
“Konsullata do të jetë një adresë konkrete për çdo shqiptar në rajon, një pikë lidhëse e gjallë mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në shërbim të qytetarëve dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.”
Taravari: “Hap i shumëpritur”
Me këtë rast nuk kanë munguar as reagimet përshëndetëse.
Për kreun e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, hapja e konsullatës është ditë historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Sot, Struga nuk është vetëm qytet i liqenit dhe poezisë, është bërë edhe qytet i diplomacisë shqiptare. U hap zyrtarisht Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, një hap i shumëpritur për të qenë më afër qytetarëve shqiptarë në këtë anë të kufirit,” ka shkruar Taravari në llogarinë e tij në Facebook..
“Ne, si Aleanca për Shqiptarët, përshëndesim këtë hap të rëndësishëm dhe e konsiderojmë si vullnet politik për të forcuar lidhjet tona historike, kulturore dhe kombëtare me Shqipërinë, por edhe si një lehtësim konkret për mijëra qytetarë që kanë nevojë për shërbime konsullore pa u lodhur në rrugë të gjata.”
Edhe dy konsullata të tjera
Një shtrirje konsullore e Republikës së Shqipërisë në Maqedoni ishte bërë edhe në nëntor 2019.
Asokohe ishte hapur ajo që u quajt si Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë në qytetin e Manastirit, në krye të së cilës u vu Imer Selmani.
Edhe Republika e Kosovës ka Konsullatë të Përgjithshme në Strugë me Agim Krasniqin si përfaqësues të saj.
Ajo ishte hapur në nëntor të vitit 2019 gjatë kohës sa minister e Punëve të Jashtme ishte Meliza Haradinaj-Stublla.
Hapja e saj ishte vlerësuar si urë lidhëse për avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella, ndërveprimit ekonomik e kulturor, si dhe përfaqësimit e mbrojtjes së të drejtave të shtetasve të Kosovës. /Nacionale/