Një shtetase siriane goditet për vdekje nga vetura në Fushë Kosovë
Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur të premten në fshatin Harilaq të Fushë Kosovës. Policia ka njoftuar se një shtetase siriane është goditur nga një veturë, dhe nuk ka arritur t’iu mbijetojë plagëve.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që me veturë ka goditur këmbësoren, femër shtetase siriane. Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori i shtetit dhe një ekip mjekësor. Mjeku përgjegjës ka konstatuar se trupi i viktimës është pa shenja jete. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.
Vetëm brenda 24 orëve të fundit, tetë raste të dhunës në familje i ka raportuar Policia e Kosovës.
Në pesë raste të ndryshme viktimë e dhunës në familje kanë qenë gratë. Një prej tyre ka ndodhur gjtihashtu në Fushë Kosovë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare. Viktimës i është ofruar trajtim mjekësor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, me vendim të të cilit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Vushtrri. Atje një i dyshuar ka shkuar në familjen e ish-bashkëshortes dhe ka tentuar t’ia marrë fëmijët dhe telefonin.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte shkuar tek familja e viktimës femër kosovare (ish-bashkëshortes) me të cilën ishin ndarë dhe kishte marrë dy fëmijët e tyre, po ashtu i kishte marrë edhe telefonin viktimës. Viktima është intervistuar në prezencë të QPS-së. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Rasti duke u hetuar”, ka bërë të ditur policia.
Po në Vushtrri, është raportuar edhe një tjetër rast i ngjashëm i dhunës në familje, konkretisht ndaj grave.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti ka shkaktuar mosmarrëveshje deri sa ishin tek babai i viktimës femër K/Shqiptare, sipas viktimës i dyshuari edhe me herët ishte ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj saj por nuk ka raportuar rastin. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Dy raste tjera të dhunës në familje janë raportuar për dhunë ndaj prindërve. Njëri prej tyre ka ndodhur në Klinë e tjetri në Deçan.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte tentuar ta sulmojë babanë e tij. Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë konfiskuar një thikë e cila dyshohet të jetë përdorur, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë ndaj babait të tij. Viktima është dërguar në QKMF Deçan për ekzaminim mjekësor. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, shton Policia e Kosovës.
Ndryshe gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 23 persona, ndërsa janë shqiptuar 1872 tiketa në trafik.