Një shekull prapa: Çka tha Konjufca në fjalimin për Kurtin që po komentohet aq shumë? - NACIONALE

Një shekull prapa: Çka tha Konjufca në fjalimin për Kurtin që po komentohet aq shumë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Kosovës Albin Kurti shpalli kandidaturën e tij për t’u bërë kryetar i Vetëvendosjes. Por, gjatë këtij tubimi, një gjë duket se ka lënë mbresa të mëdha në popullin e Kosovës të mishëruar deridiku me vlera të demokracisë dhe lirisë: kulti i personalitetit. Kësaj here, do të merremi me rastin Glauk Konjufca.

Vetëvendosje e ka përdorur shpesh emrin servil për të përshkruar njerëz të ndryshëm në skenën politike vendore.

Sidoqoftë, kjo parti politike - që po mban një proces të brendshëm zgjedhor pa kundërkanditatë për kryetar partie e pa kundërkandidatë kryetarë qendrash nëpër qytete – duhet se po promovon servilitet të skajshëm në skenën politike vendore.

Në statutin e Vetëvendosjes, me të drejtë dikur kërkohej që kryetari i partisë të jepte dorëheqje nga ky pozicion nëse bëhej kryeministër. Por, në vend të kryetarit të partisë, ‘vullnetarisht’ (shih thonjëzat) dorëheqje kishte dhënë statuti.

Gjatë ditës së djeshme, servilizmi si dukuri shoqërore u ushqye edhe nga Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, që u paraqit mbrëmë në tubim nga Interneti për të dhënë mesazhet e tij.

Ai nuk përmendi eliminimet politike në këtë parti politike, e nuk përmendi as atë pikë të statutit që ishte hequr, ndërkohë që nuk dha asnjë mesazh që do të përkonte me vitin apo shekullin në të cilin jemi.

Afrim Kasolli, një ish aktivist dhe deputet i Vetëvendosjes, e përshkroi me këto fjalë atë që pa:

“Ajo që ra në sy në këtë atmosferë dalldie, ishte edhe shfaqja e drejtpërdrejtë e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, me anë të Skype-it nga Tirana, për t'i uruar kryetarit të tanishëm e të ardhshëm detyrën. Me një gjuhë plot elozhe, që po të zgjohej nga varri do t'ia kishte lakmi edhe Enver Hoxha, se pse vartësit e tij nuk i kishin thurur kësi lavdesh heroike atij, ai tregoi se në mes tjerash, në saje të vullnetit, vizionit dhe vendosmërisë së liderit ata kolektivisht i kishin korrur fitoret politike.”

Çka tha Glauku?

Fjalët e thëna nga kryekuvendari - që besohej të ishte njeriu i dytë më i pushtetshëm në Vetëvendosje një herë e një kohë - ishin shumë familjare dhe evokuan kujtime nga fjalime të dekadave më herët kur demokracia shihej si një ëndërr e largët e e paarritshme.

“Më vjen keq që nuk ndodhem fizikisht me juve, por jam aty me shpirt,” – nisi fjalën e tij Konjufca.

“Ndodhem në një takim zyrtar në Shqipëri, në një takim që është caktuar shumë më herët.” – vazhdoi më pas të justifikonte mos-praninë e tij në atë mbrëmje.

Konjufcës nuk i pengoi që procesi zgjedhor në partinë më të re mes partive të mëdha në Kosovë po përçohej një frymë mosvet e moçme autoritarizmi dhe po ushqehej kulti i personalitetit. Përkundrazi, ai e bëri vetë një gjë të tillë.

“Të nderuar të pranishëm, ne kemi pasur po ashtu një drejtues të pathyeshëm dhe vizionar, shumë të përgatitur e të sinqertë, modest për vete dhe shumë i vendosur për të mirën e popullit. E ky është kryeministri ynë, Albin Kurti.” – vazhdoi të lexonte elozhetë ai.

“Gjithnjë ishte i gatshëm që ta jepte edhe jetën në ato rrethana, dhe pas themelimit të Vetëvendosjes, ai ishte i pari, i gatshëm për sakrificië, i pari që arrestohej dhe gjithsesi me imunitetin më të lartin në mesin tonë edhe ndaj presionit edhe ndaj privilegjeve.” – u shpreh më tej Konjufca.

Ai nuk përmendi fare pikën e statutit që ndalonte kryeministrin të ishte njëkohshëm edhe kryetar partie. Megjithatë, ai përmendi daljet nga Vetëvendosje duke i sulmuar këta të fundit përsëri.

“...Kur në vitin 2017 një grup që doli nga Vetëvendosja thonin se Albin Kurtin që po e don gjithë Kosova por nuk bën të jetë kryetar i Vetëvendosjes, unë qeshja me ta dhe jua shtroja një pyetje të thjeshtë: si është e mundshme që nuk është i përshtatshëm për kryetar dikush që është më i dashuri për Kosovën?”

Megjithatë, kryekuvendari bëri edhe pretendime të çuditshme si ajo që “ai (Kurti) nuk drejtonte kurrë i vetëm” përkundër që e kishte përshkruar veten si “punëtor me hillt” dhe përkundër kritikave publike që kryeministri i kishte bërë ndaj anëtarësisë së partisë.

“Shumë mirë që kemi arritë në këtë moment dhe që para nesh do ta kemi njeriun që drejtoi deri këtu, por që kurrë nuk drejtoi i vetëm dhe i vetmuar. Unë këtu po flas si një dëshmitar, si bashkëthemelues i Vetëvendosjes, si bashkaktivist – me të cilin kemi qenë së bashku gjatë gjithë kohës. Po jap dëshminë time që, Albin Kurti nuk është njeri që drejton individualisht. Ai e ka dhënë një shembull të shkëlqyeshëm, edhe se si ka kontribuar Vetëvendosjes... Edhe në zgjedhjet e vitit 2017, kur ne padyshim që dolëm të parët por ku me manikacione na e morën qeverinë.” – lexoi Konjufca.

“I guximshëm, i pathyeshëm e i pakorruptueshëm,” – ishin tri etiketa tjera që Konjufca ia ngjiti liderit të tij partiak.

Për ironi, Konjufca në Tiranë ishte me Enver Hoxhajn, anëtarin e PDK-së që ish liderin e tij e kishte përshkruar me këto fjalë para disa vitesh “Të gjithë do të vdesim e do të bëhemi hi, emri i Hashim Thaçit do të rrojë përherë”. Për edhe më shumë ironi, ata kishin publikuar një foto ku edhe duart i kishin mbledhur në mënyrë të njësojtë.

Lajme të ngjashme