Një obituar për Qosjen e letrave (1936-2026) - NACIONALE

Një obituar për Qosjen e letrave (1936-2026)

3 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Po, Rexhep Qosja e shquajti veten me prani të pendës që nga mesi i viteve ’60. Me gjysmë shekulli veprimtari shkrimore, ai e kornizoi emrin e tij me një trashëgimi të farëfarshme si historian i letërsisë, kritik letrar, shkrimtar, eseist e publicist. Në një kohë kur kritika letrare shqipe ecte çalamanisht nën peshën e kufizimeve ideologjike të regjimit stalinist në Shqipëri, Qosja këndej mund të ngjante si një zotëri sedërtor që lirshëm shërbehej me letrarë e kritikë nga bota perëndimore. Anipse në truallin letrar mbeti nën hijen e shumë të tjerëve – madje edhe kur eksperimentoi kreativisht me romanin postmodern – ai prapëseprapë u respektua si emër e si staturë intelektuale. Nga vitet ’90 e këndej, prodhimi i tij shkencor do të mpakej e do të rritej ai publicistik. Duke e eskivuar përmasën e tij në politikë ku shpesh shkakëzoi kundërthënie e përplasje, ky obituar përshkon ndër vite vetëm anën e tij krijuese dhe trashëgiminë e tij intelektuale. Requiescat in Pace!

Col Mehmeti

23 prill 2026 – Si njëzet e tre vjeçar kur diplomoi në Shkollën Normale në Prishtinë, peizazhi kulturor në hapësirat shqiptare në ish-Jugosllavi ishte ai i një djerrine analfabetizmi të përgjithshëm.

Ernest Koliqi e gjeti Kosovën e 1941-s me 95 për qind të meshkujve dhe 100 për qind të femrave analfabete (Mehmet Gjevori, Kujtime e shënime rreth punës së shkollave të para shqipe në Kosovë, kontribut gjatë dhe pas Luftës II Botërore 1941-1951, 1998, f. 283)

Edhe pasi kaluan ato “tri ditë Shqipní”, përqindja e analfabetizmit vazhdonte ta hapte gojën e përbindshme me përqindje të frikshme, si për shembull 74% në vitin 1953.

Kurset e improvizuara në Prizren, Gjakovë e Prishtinë në më të mirën e tyre mund të aftësonin njerëz sall në nivel të shkrim-leximit.

Jorastësisht, ajo elitë modeste që nxori krye në vitet ‘50 vinte nga krahina më skajore të hapësirës shqiptare, që të gjitha përtej Kosove.

Të tillë ishin, bie fjala, Qamil Sijariqi nga Sanxhaku (1913-1989) e Esad Mekuli (1916-1993) nga Plava.

Mjaftonte një e shfletuar gazetash e periodikësh të kohës si Flaka e Vllaznimit, Rilindja, Përparimi a Jeta e Re, dhe brenda minutash përmblidhej krejt ai qark radhëpakët i njerëzve me ndonjë vokacion letrar a publicistik.

Por, brezi i dytë, me Qosjen në krye, e pasuroi sado-kudo këtë prodhimtari të vobektë.

Përpara tij, diçka e ngjashme si kritikë letrare për belles lettres kishte ekzistuar vetëm tek-tuk; me të e pas tij kritika letrare e krijoi një standard më integral.

Prurjet e autoruara nga Qosja si Episode letrare (1967), Dialogje me shkrimtarët (1968), Kritika letrare (1969) e Panteoni i rralluar (1973) ishin themeluese të një mënyre e stili të ri të kritikës letrare dhe vështrimit modern mbi letërsinë.

Duke përfituar edhe nga studimet e tij pasuniversitare në Beograd, ky zhanër i ri i kriticizmit letrar, mu falë Qosjes, qëndroi më lart sesa ai në Shqipëri që vuante nga pesha e rreptësisë ideologjike.

Një gur miliar u vendos edhe me trivëllimëshin e tij Historia e letërsisë shqipe, i botuar më 1984 e 1985.

Si historian i letërsisë shqipe nga periudha paramoderne e deri në vitet ‘80, ai nga të parët krijoi një hartë mbi prirjet, stilet e frymat që përshkuan njerëz të letrave shqipe.

Truallin e fiksionit letrar e shkeli me të parin roman që në dorëshkrim qe titulluar “Vdekja më vjen prej syve tu: roman në trembëdhjetë tregime” nën llagëpin letrar Luan Dukagjini.

E botuar copa-copa në faqet e revistës Jeta e Re më 1974, kjo sprovë sillte rrëfimet e mësuesit Xhezair Gjika kundrejt një bote të bërë blozhdë nga intrigat politike, shërbimet e fshehta, hetimet e makthet e torturave.

E përkthyer dikur edhe në frëngjisht nga Christian Gut dhe e botuar nga shtëpia botuese parisiene ‘Gallimard’ si La mort me vient de ces yeux-là, lexuesve frëngfolës iu shërbyen copëza jete nga cepat më të harruar të Evropës nën komunizëm.

Përkundrejt një sfondi të ngrysur siç ishin realitetet në vitet ‘50 nën terrorin e kuq te Rankoviqit, narratori Gjika në qytetin fiksional Vajzan përshkruante gjithfarë karakteri me një gjuhë brutale e fshikulluese ironie.

Prolifik në shkrimësinë e vet, Qosja u shqua edhe me lloje të natyrës publicistike.

Kur jeta kulturore e librore pushoi gjatë represionit e segregacionit serb, dhe Tirana u bë strehë për Kosovën e mërguar, Qosja botoi “Populli i ndaluar”.

Larg më i njohur ishte libri tjetër i tij “Çështja shqiptare” që u përkthye në frëngjisht si La Question albanaise (Fayard, Paris 1995).

Paradoksalisht, ky libër gëzoi më shumë shfletime sesa gjithë pjesa tjetër e krijimtarisë së tij.

Në vitet ‘90, botimet shqipe, sidomos ato që përmbanin perspektivën shqiptare, ishin fare të rralla në botën perëndimore.

Për këtë arsye, La Question albanaise u bë referencë e shpeshtë ndër studiues e gazetarë të huaj.

Një marrëdhënie e paqartë që osiciloi mes afërsisë e përplasjeve të serta ishte ajo me Ismail Kadarenë.

E zhvilluar me reagime e kundëreagime në të përditshme në Tiranë e Prishtinë, si Korrieri a Epoka e Re, polemika pati si log përplasjet mbi çfarësinë e identitetit shqiptar, përkatësinë kulturore dhe përbërësit nënidentitarë.

Te një pjesë e opinionit, Qosja asohere u ndjesua sikur ‘strategjikisht’ u pozicionua favorshëm në krah të islamistëve që ishin vënë në luftë aktive kundër formatit sekularist të shqiptarizmes.

Në një bashkëbisedim të botuar në gazetën Shekulli, Kadare e fshikulloi Qosjen se, pasi kishte dështuar në politikë, ishte vënë në kërkim të një flamuri të ri (ideologjik), të cilin e gjeti te “spekulimet fetare”.

Polemika filloi e mbaroi në maj të 2006-s, por ajo do të tejvazhdohej në sytë e studiuesve të huaj.

Ajo u mor si paragon për mendimin intelektual shqiptar dhe anëpamjeve të ndryshme vis-à-vis çështjesh madhore nga e kaluara.

Kështu, identiteti i ridimensionuar shqiptar gjendej përballë nevojës për të shtuar ose hequr komponente të caktuara.

Sidoqoftë, poza islamiste e Qosjes nuk zgjati shumë sepse ajo më fort ishte frymëtuar nga antagonizmi me Kadarenë.

Shumë islamistë u zhgënjyen keq nga Qosja kur ky gjatë një varrimi nuk u ishte bashkuar ritualeve fetare.

Në politikë, Qosja i ndau qysh herët dhentë e dhitë me Rugovën e LDK-në.

Kësodore, fillimisht Forumi Demokratik i Intelektualëve Shqiptarë, e më pas Lëvizja Demokratike Shqiptare si parti, u përjetuan si alternativa politike kundrejt Rugovës dhe pasuesve të tij.

Në shkurt 1999, Qosja ishte njëri nga anëtarët e delegacionit shqiptar në Rambuje.

Sidoqoftë, pesha e tij ashtu sikurse edhe e Rugovës kishte rënë ndjeshëm përballë Hashim Thaçit të cilit po i shkëlqente ylli në Perëndim.

Në vitet e pasluftës, për thuajse dy dekada, ai ishte prani e shpeshtë në media anipse në formë intervistash a shkrimesh publicistike.

I njohur për diatribat kundrejt Berishës dhe pushtetit të Partisë Demokratike, Qosja nga viti 2005 e tutje zinte vend shpesh në mediat e afërta me Partinë Socialiste.

Nga PS-ja e LSI-ja shtyheshin kush e kush ta nderonte më parë kosovarin antiberishist.

Edhe pozicionimet e tij në Kosovë i krijuan miq e armiq andej e këndej, të pritshme këto për figura publike.

Por cila është njëmend trashëgimia e Qosjes nga vitet ‘60 gjer më sot?

Në kulturën shqiptare, të rënduar nga negativiteti e padurueshmëria, lavdërimet, vajet ose sharjet te qivuri i jetëndërruarit varen shpesh nga konsiderata fort personale.

Nëse jetëndërruari ishte konfrontues karshi nënidentiteteve politike, krahinore a fetare, atëherë atij nuk do t’i jepen nota të larta.

Po kështu, nëse jetëndërruari ishte konformist ndaj nënidentiteteve politike, krahinore a fetare, atëherë atij do t’i jepen nderet e begenisjet më të mëdha.

Trashëgimia, në këtë rast, duhet të konsiderohet gjithë ajo jetë e kaluar me shkrimësi, studime e pozicionime intelektuale.

Paradoksalisht, Qosja i shkruar është më pak i njohur sesa Qosja i atyre pak viteve politikë aktive apo Qosja i intervistave në mediat në Tiranë

Përtej simpative e antipative të së tashmes, ai megjithatë e pati një individualitet interesant intelektual që u shfaq midis kohërash të rrëmbyera.

Posteriorieti do të ketë një laramani trashëgimie shkrimore, nga kritikat letrare e deri te romanet e sprovat publicistike.

Mbase një kriter i vlefshëm vlerësimi duhet të jetë se një intelektual vërtet i madh shqiptar është ai që njihet më shumë përtej kufijve e më pak në mëhallat tona.

Vetë Qosja e kishte pëlqyer anën e dhembjes tek e cila e gjente bukurinë.

Siç e kishte thënë njëri nga personazhet te Vdekja më vjen prej syve të tillë:

“Kur njeriu është i gëzuar, mund të duket më bukur se zakonisht, po kjo është një bukuri e lehtë; bukuria e dhembjes, ndërkaq, është më e thellë, më e fuqishme”.

Lajme të ngjashme