Një muaj paraburgim ndaj personit që dyshohet se kërcënoi kryeministrin Kurti
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të pandehurit N.S., i cili dyshohet se ka kërcënuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kështu ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Prishtinës përmes një njoftimi.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.S, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës, nga neni 121 lidhur me nenin 119 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se gjyqtarja e procedurës e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.S prej një muaji.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.S dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.
