Një ministri kundër Halimit të LDK-së: Përplasja që s'e pamë - NACIONALE

Një ministri kundër Halimit të LDK-së: Përplasja që s'e pamë

3 vjet më parë

nga Rea Sefa

Një video e zëdhënëses së LDK-së, Sibel Halimi, e cila flet për degradimin e kulturës gjatë qeverisjes Kurti ka nxitur reagime të ashpra nga Ministria e Kulturës.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka kritikuar Ministrinë e Kulturës për mos-punë në këto dy vite.

Përmes një video në rrjetin social Facebook, Halimi ka vlerësuar se aspekti i kulturës në Kosovë gjatë kësaj qeverisje ka shënuar degradim të shumë anshëm. Sipas saj, shumë institucione qendrore të kulturës kanë mbetur pa kulm mbi kokë.

“Aspekti i kulturës në Kosovë për dy vjet qeverisje ka shënuar degradim të shumanshëm. Asnjë investim kapital serioz në kulturë; politizim dhe militantizim të skajshëm të institucioneve që do të duhej të ishin apartiake dhe profesionale. Për këtë gjysmë mandati, nuk ka asnjë ndryshim, as në formë e as në përmbajtje. Nuk ka ndërtesa të reja; as mirëmenaxhim të ndërtesave dhe institucioneve ekzistuese; madje as projektligje të shumë premtuara që avancojnë gjendjen e artit dhe kulturës në vendin tonë. Artistët e artdashësit meritojnë më shumë!”, ka thënë ajo.

Ministria e Kulturës i reagon Halimit

Ministria e Kulturës nuk është pajtuar me konstatimet e zyrtares së LDK-së. Këshilltarja e ministrit të Kulturës, Zana Fetiu, ka thënë se në kërkesën e Halimit për të realizuar videon në Galerinë e Arteve, ajo nuk e ka specifikuar qëllimin e videos.

“Ajo ka mashtruar menaxhmentin dhe Këshillin Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës, duke mos e treguar të vërtetën në kërkesën e saj me shkrim për shfrytëzimin e hapësirës. Për ta bërë edhe më skandaloze këtë performancë, zonja Halimi thotë një mal me të pavërteta, madje pa iu trembur as qerpiku”- tha Fetiu në një intervistë për Kohën.

Ndaj deklaratës së zyrtares së ministrisë ka reaguar edhe Halimi.

Përmes një postimi në “Facebook”, ajo ka ironizuar duke thënë se xhirimet e radhës do t`ia dërgojë ministrisë për aprovim.

‘’Madje, sipas tyre, në kërkesën për të realizuar spotin në ambientin e Galerisë së Arteve nuk e paskam specifikuar qëllimin e videos. Xhirimet e radhës lidhur me gjithë kritikën ndaj Ministrisë së Kulturës, skenarin, emrat e përgjegjësve si dhe përmbajtjen do t`ia dërgojmë ministrit për të aprovuar. Pastaj lë t’a dërgojë edhe në Qeveri për miratim’’- tha ajo.

Ajo ka thënë se reagimet e ministrisë janë reagime të mendësisë diktatoriale..

“Pretendimet për të instaluar një mendësi diktatoriale, megjithatë do të mbetën vetëm në dëshirore. Video ku kritikohet paaftësia e kësaj ministrie është zëri i komunitetit artistik në Kosovë dhe ne si LDK nuk do të ndalemi së kritikuari, të jemi zëri i tyre dhe në të mirë të zhvillimit të kulturës dhe artit në vend”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Lajme të ngjashme