Një marrëveshje, një foto, 176 milionë euro ndryshim në bursën e Athinës - NACIONALE

Një marrëveshje, një foto, 176 milionë euro ndryshim në bursën e Athinës

2 javë më parë

nga NACIONALE

Çmimi i aksioneve të shitësit më të madh të lodrave dhe artikujve për fëmijë në Europën Juglindore, Jumbo SA, u rrit me rreth 6 për qind menjëherë sapo kompania greke njoftoi arritjen e marrëveshjes me grupin shqiptar Balfin për zgjerimin e aktivitetit në Euroazi.

Të dhënat zyrtare nga Bursa e Athinës tregojnë se ditën e njoftimit të marrëveshjes, Jumbo ishte kompania me performancën më të fortë në bursën e Athinës, me çmimin e aksioneve të saj që u rrit nga 22.2 euro për aksion, në 23.5 euro brenda ditës.

Cmimi i aksioneve te Jumbos

Aktualisht Jumbo ka një numër prej 135 milionë e 950 mijë aksionesh që tregtohen në bursë. Kjo të thotë se vlera e kompanisë sipas kapitalizimit të tregut u rrit nga 3.018 miliardë euro, që ishte para marrëveshjes, në 3.194 miliardë euro pas anoncimit të saj.

Marrëveshja mes grupit grek dhe atij shqiptar është komentuar gjerësisht në mediat më të mëdha ekonomike të Greqisë, të cilat raportojnë se ekspansioni në tregjet e reja pritet të sjellë më shumë të ardhura dhe fitime për dy kompanitë. Dhe prespektivat e rritjes dhe përfitueshmërisë janë një nga faktorët kryesorë që ndikojnë çmimin e aksioneve të një kompanie në bursë.

Grupi grek i dha kompanisë shqiptare Balfin të drejtat ekskluzive për të shfrytëzuar dhe zgjeruar brandin Jumbo në 6 vende të reja; Armeni, Azerbajxhan, Gjeorgji, Kazakistan, Ukrainë dhe Uzbekistan.

Paralelisht sipas marrëveshjes, BALFIN do të menaxhojë në mënyrë të pavarur të gjithë zinxhirin e furnizimit për territoret e reja, nga furnizimi në Kinë deri te magazinimi, transporti dhe shpërndarja në kilometrin e fundit në të gjithë Armeninë, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Kazakistanin, Ukrainën dhe Uzbekistanin.

Për të mbështetur këtë zgjerim, BALFIN do të ndërtojë rrjetin e vet logjistik nga fillimi në fund, të ankoruar nga një qendër logjistike në Kinë dhe të lidhur përmes një infrastrukture të dedikuar magazinimi dhe shpërndarjeje në të gjithë rajonin e ri operativ.

“Zgjerimi i ekskluzivitetit tonë në Armeni, Azerbajxhan, Gjeorgji, Kazakistan, Ukrainë dhe Uzbekistan, dhe marrja e pronësisë së plotë të zinxhirit logjistik nga Kina deri te klienti përfundimtar, është një hap strategjik që e vendos BALFIN midis operatorëve më ambiciozë të shitjes me pakicë në rajon. Kjo pasqyron besimin që Jumbo S.A. ka tek ne dhe besimin tonë në potencialin e rritjes afatgjatë të këtyre tregjeve”, tha Samir Mane, President i Grupit BALFIN.

“Partneriteti ynë me BALFIN ka dhënë vazhdimisht rezultate të forta në çdo treg në të cilin operojmë së bashku. Performanca, profesionalizmi dhe disiplina operacionale e ekipit të BALFIN na kanë dhënë besim të plotë për t'u besuar atyre këtë territor dukshëm më të madh dhe menaxhimin e pavarur të zinxhirit të furnizimit. Jemi krenarë që zgjerojmë bashkëpunimin tonë në këto tregje të reja dhe dinamike, dhe mezi presim t'ua sjellim përvojën Jumbo miliona klientëve të rinj”, tha Apostolos – Evangelos Vakakis, Themelues dhe Kryetar i Jumbo S.A.

Lajme të ngjashme